Raportimet për 13 arrestime të reja, flasin nga Gjykata Speciale

Raportime të njëpasnjëshme pati së fundmi lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, saktësisht për zgjerimin e aktakuzës ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli si dhe Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Lajme

05/05/2022 20:47

Por duke mos përfunduar me kaq, gjatë ditëve të fundit pati raportime se 13 persona do t’i bashkëngjiten të akuzuarve të tjerë, që tashmë janë në Hagë.

Lidhur me këtë çështje, u tha se edhe 13 persona të tjerë do të arrestohen nga Specialja dhe do të dërgohen në Hagë për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Madje aksioni për arrestimin e 13 personave është paralajmëruar të ndodh së shpejti.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar zyrën për informim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Nga Gjykata Speciale nuk kanë dashur të komentojnë këtë çështje, teksa kanë kërkuar që informacionet të kërkohen në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Më 29 prill, është ngritur një aktakuzë në rastin e z.Thaçi dhe të bashkakuzuarve. Versionin e redaktuar mund ta gjeni tek faqja. Ndërsa lidhur me çështjet e tjera kontaktoni Prokurorin e Specializuar”, u tha ndër të tjerash në përgjigjen për lajmi.net.

Por ngjashëm ishte përgjigja edhe nga Zyra për Informim e Prokurorit të Specializuar. Christopher Bennett, nga Prokuroria e Speciales ka deklaruar se nuk e komentojnë këtë çështje.

“Prokuroria e Specializuar nuk i komenton spekulimet e mediave”, u tha në përgjigjen e shkurtër të Bennett.

Ndryshe në deklarimet e fundit është theksuar se në mesin e 13 personave të cilët theksohet se do të jenë të arrestuarit e radhës në kuadër të Speciales janë eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lidhur me këtë proces së fundi është thënë se janë njoftuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, si dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ndër të tjerash raportohet se Kurti dhe Haxhiu janë informuar për aksionin që pritet të ndodhë së shpejti, por jo edhe rreth emrave apo personave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të premten që lamë pas ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlametnarit Kadri Veseli, Jakup Krasnqit e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë edhe disa krime të pretenduara se ndodhën në Suharekë dhe në Gjilan, ku ndër të tjerash akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka shumë më pak pjesë të redaktuara. /Lajmi.net/