Raporti i lirisë së medias, Koci numëron disa tituj nxitës të mediave në Serbi ndaj Kosovës
Avokati kosovar Arianit Koci ka reaguar për renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku Kosova renditet më keq se Serbia. Koci shpreh habinë si Kosova renditet më keq se Serbia, krahas shkrimeve dhe titujve nga mediat që bëhen atje për Kosovën. Koci ka numëruar disa tituj nxitës të…

Lajme
Avokati kosovar Arianit Koci ka reaguar për renditjen e indeksit vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku Kosova renditet më keq se Serbia. Koci shpreh habinë si Kosova renditet më keq se Serbia, krahas shkrimeve dhe titujve nga mediat që bëhen atje për Kosovën.
Koci ka numëruar disa tituj nxitës të mediave në Serbi, që sipas tij “këto nuk janë komente të çmendura në Facebook, por tituj ballinash në media me tirazh të madh në Serbi”.
Avokati Koci ka numëruar vrasjet e gazetarëve në Serbi për të treguar gjendjen e lirisë së mediave atje.
“Serbia e lirisë së shtypit?!, “Šiptari su krivi za sve!”, “Shqiptarët janë fajtorë për gjithçka!” – Kurir, “Šiptarski poslovi: Kradu, lažu, ubijaju”, “Punë shqiptari: vjedhin, gënjejnë, vrasin” – Informer. Këto nuk janë komente të çmendura në Facebook, por tituj ballinash në media me tirazh të madh në Serbi. Në këtë realitet të përditshëm, Reporterët pa Kufij thonë se Serbia ka më shumë liri të shtypit se Kosova. Po flasim për një vend ku gazetarët vriten, kërcënohen, përndiqen. Ku mediat nuk informojnë – por i shërbejnë qeverisë. Ku çdo kritikë ndaj presidentit konsiderohet tradhti”, ka shkruar Koci në Facebook.
Sipas tij, pothuajse të gjitha mediat pro-qeveritare në Serbi publikojnë çdo ditë lajme diskriminuese, të pasakta dhe haptazi fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
“Ja disa nga titujt e verifikuar që qarkullojnë në Serbi: “Šiptari spremaju pakao za Srbe!” “Shqiptarët po përgatisin ferrin për serbët!” – Informer, “Ubistvo Srba na Albanski način”, “Vrasje e serbëve në stil shqiptar” – Kurir, “Šiptari hoće rat!”, “Shqiptarët duan luftë!” – Alo!, “Pakleni plan Albanaca: Ubistvo Srba za Božić!”, “Plani djallëzor i shqiptarëve: vrasje e serbëve për Krishtlindje!” – Srpski Telegraf, Fjala “Šiptar” është term pezhorativ dhe racist. Gjykatat në Serbi e kanë ndaluar, por përdorimi i saj në media vazhdon si normë ditore”, shkruan ai.
Sipas Kocit, këta tituj nuk janë gabime, janë strategji, të qëllimshme për të demonizuar shqiptarët dhe për të prodhuar frikë.
Në një postim të gjatë të Kocit thuhet thuhet po ashtu se “Një përpjekje e heshtur për të barazuar Kosovën me një regjim autoritar. Për ta zhvlerësuar çdo gjë që kemi ndërtuar me shumë mund.
“Reporterët pa Kufij janë bërë, dashje pa dashje, pjesë e kësaj fushate. Jo sepse janë të korruptuar. Por sepse mbështeten në burime të gabuara. Të njëanshme. Dhe ndonjëherë, të manipuluara. Unë – si qytetar i lirë i një shteti të lirë – kam zero respekt për një organizatë që bën dallime të tilla fyese dhe të padrejta. Sidomos pa e ditur se kush janë ata njerëz nga Kosova që japin vlerësime të rreme e që i shesin për analizë”, shkruan ai.
Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Nga vendet e rajonit më keq është e renditur Kosova, respektivisht në vendin e 99-të, e ndjekur nga Serbia në vendin e 96, pastaj Bosnja dhe Hercegovina 86, Shqipëria 80, ndërsa Bullgaria mban vendin e 70-të, transmeton KosovaPress. Ndërsa, Mali i zi renditet në vendin e 37 për vitin 2024.
Vendin e parë në listë, tanimë për nëntë vite me radhë e mban Norvegjia, e cila vlerësohet si vendi më i lirë në botë për gazetarët. Vendin e dytë e ka Estonia, e ndjekur nga Holanda, ndërsa më pas vijnë Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Irlanda. Si vende më të mbyllura dhe të rrezikshme për gazetarët janë Afganistani, Irani, Siria, Kina, Korea e Veriut dhe Eritrea.