Raporti i eksperteve në Hagë: Refugjatët nga ish-Jugosllavia kanë pasur shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor sesa ata nga zona tjera lufte

 Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në cilësinë e eksperteve po dëshmojnë dy dëshmitaret e mbrojtjes së viktimave. Gjatë seancës u dëgjuan fragmente nga raporti i tyre i përpiluar për këtë çështje gjyqësore, në të cilin thuhej se refugjatët nga ish-Jugosllavia u konstatua se kishin shkallë më të…

Lajme

16/07/2025 17:49

 Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në cilësinë e eksperteve po dëshmojnë dy dëshmitaret e mbrojtjes së viktimave. Gjatë seancës u dëgjuan fragmente nga raporti i tyre i përpiluar për këtë çështje gjyqësore, në të cilin thuhej se refugjatët nga ish-Jugosllavia u konstatua se kishin shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor krahasuar më ata nga zona të tjera.

Kjo gjë, sipas raportit, ishte bazuar në hulumtimet që janë bërë lidhur me këtë çështje.

“Në Kosovë thuajse 65% e popullsisë ka përjetuar ngjarje traumatike gjatë luftës, çka shkaktoi një numër të traumatizuarish në mes 200 mijë-400 mijë persona. Refugjatët nga ish-Jugosllavia u konstatuan se kishin shkallën më të lartë të problemeve të shëndetit mendor  krahasuar me refugjatë nga zona të tjera lufte.

Karin Duhne-Prinsen pohoi se kur foli për refugjatë në këtë pjesë, e kishte fjalën për persona të zhvendosur.

“Në të gjithë raportin, konkretisht për Kosovën ekzistojnë disa faktorë kulturor dhe kontestual që i kemi theksuar, të cilët luajnë rol në pasojat psikologjike që kanë personat. Prandaj, një nga faktorët pse themi ne refugjatë nga ish-Jugosllavia kanë shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor krahasuar me refugjatë nga zona të tjera të luftës”, tha ajo, duke pohuar se këtu përfshihet edhe Kosova.

Duhne-Prinsen u pajtua se një pjesë e madhe e popullsisë në Kosovë nga të gjitha grupet e ndryshme ka pasur përvoja traumatike për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë luftës.

Nga ajo që lexoi avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, në raport thuhet se hulumtimet për Kosovën 10 vjet pas luftës, ishte i lartë stresi postraumatik, depresioni dhe dhimbja mes popullatës civile.

“PTSD, MDD dhe stresi emocional, ankthi u kthyen në diçka kronike në një pjesë të madhe të popullsisë, prania e PTSD-së ishte veçanërisht e lartë në grupe specifike si; refugjatët dhe veteranët e luftës”, lexoi raportin Dixon.

Ekspertja tha se për veteranët nuk mund të flasë për këtë gjë, pasi nuk i referohet ndonjë grupimi por vetëm ish-ushtarëve.

Në raport, gjithashtu thuhet se sipas hulumtimeve, një anëtar i familjes apo një i afërm të cilit i është vrarë dikush gjatë konfliktit në Kosovë, kanë probleme më të mëdha të shëndetit mendor sesa popullata në përgjithësi.

Gjithashtu, u tha që raporti i bazuar në hulumtime thotë se PTSD-ja e cila është e pranishme tek veteranët, ndikon edhe në cilësinë më të dobët të jetës së tyre.

“Trauma e pazgjidhur shkakton probleme fizike dhe mendore dhe problemet e shëndetit mendor, përkeqësohen nga shëndeti social e ekonomik përkrah mungesës së drejtësisë dhe mbështetjes institucionale”, lexoi Dixon.

Më pas, seanca përfundoi në sesion privat./Betimi për Drejtësi/