Dështon zhvillimi i seancës “Capat- Sekiraqa”, njëri nga të akuzuarit thotë se është sëmurë

Seanca gjyqësorë në rastin e njohur si “Capat dhe Sekiraqa” është shtyrë edhe sot. Seanca e djeshme u zhvillua nën diskutime të zhurmshme dhe më pas e njëjta u shtye për sot. Por seanca e paraparë të zhvillohet sot, dështoi sërish. Kjo pasi i akuzuari Fatos Abazi, deklaroi se nuk është në gjendje të vazhdojë…

Lajme

25/11/2026 10:04

Seanca gjyqësorë në rastin e njohur si “Capat dhe Sekiraqa” është shtyrë edhe sot.

Seanca e djeshme u zhvillua nën diskutime të zhurmshme dhe më pas e njëjta u shtye për sot.

Por seanca e paraparë të zhvillohet sot, dështoi sërish.

Kjo pasi i akuzuari Fatos Abazi, deklaroi se nuk është në gjendje të vazhdojë të qëndrojë në seancën- si shkak i gjendjes shëndetësore.

Ai madje tha se për këtë gjendje shëndetësore e dinë edhe oficerët e burgut dhe se ishin njoftuar mbi këtë.

“Jom me të villne nuk muj vazhdoj në këtë gjendje”,dëgjohej duke thënë Abazi, transmeton lajmi.net.

Kurse gjykatësja e rastit deklaroi se Burgu i Sigurisë së Lartë nuk e njoftoi, por uroi që ai të përmirësohet.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohet i akuzuari Robert Llumnica, si dhe të dëgjohet dëshmia e ekspertit të balistikës.

Rasti i njohur si “Capat dhe Sekiraqa” lidhet me përplasjen e armatosur të 1 shtatorit 2024, në lokalin “From”, në lagjen Aktash të Prishtinës, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, përplasja dyshohet se ishte vazhdimësi e një konflikti të mëhershëm ndërmjet familjeve Gashi dhe Sekiraqa, i cili kishte nisur të përshkallëzohej pas një incidenti të 4 marsit 2024./Lajmi.net/