Ramushi e Limaj, në “ankand”

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” e kanë vendosur veten në ankand dhe, siç thotë ai, do të bëjnë koalicion me ata që japin më shumë.

Lajme

08/06/2016 08:03

Sipas tij, ata më nuk kanë vija të kuqe për koalicione dhe se gjithqysh do të jenë në pushtet në mandatin e ardhshëm.

Lëvizja “Vetëvendosje” nuk e kishte marrë vendimin për ta bojkotuar punën e Kuvendit, por një gjë të tillë e kishte bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kësaj të fundit i ishte përshtatur edhe subjekti më i madh opozitar, në mënyrë që të mos rrezikohet funksionimi i përbashkët i bllokut opozitar.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, duke shtuar se pas tre muajve kanë vendosur që të rikthehen në Kuvend, pasi që, siç thotë ai, pushteti me komoditet po kalon ligje e dokumente pa u penguar nga askush.

Shefi i deputetëve të “Vetëvendosjes” po ashtu ka akuzuar dy partitë tjera opozitare, AAK-në dhe “Nismën” se i mundësuan pushtetit komoditetin për të vazhduar qeverisjen me pasivitetin jashtë institucioneve, njëkohësisht edhe me bojkotimin e Kuvendit.