Ramush Haradinaj s’bëhet kryeministër, VV nuk futet në qeveri?

Zhvillimet e fundit politike tashmë kanë bindur bllokun paszgjedhor LAN se pozita e Kryetarit të Kuvendit i takon partisë që ka dalë fituese nga zgjedhjet. Në këtë situatë, LAN do të jetë i detyruar të bëjë rishpërndarjen e pozitave të larta në bazë të fuqisë politike. 

Lajme

02/11/2014 12:15

Përderisa dilemat mbi atë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim dhe si do të dalim nga ngërçi gjithnjë e më shumë po rriten, dy gjëra janë qartësuar javën që lamë pas: e para, Ramush Haradinaj nuk do të bëhet Kryeministër; dhe, e dyta, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të arrijë të shijojë pushtetin, përkundër dëshirës së madhe të këtyre të fundit për t’u bërë bashkë me “hajnat e ligës së dytë”.

Sipas burimeve të lajmi.net nga Quint-i, blloku LAN tashmë e ka kuptuar që PDK, si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, është e vetmja parti që në seancën konstituive ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Krahas kësaj, këto burime deklarojnë se “Dragodani” i është gëzuar lajmit që blloku ka hequr dorë nga “rruga” e propozuar nga VV, si metodë e realizimit të qëllimeve të tyre, si dhe janë tërhequr nga përpjekjet për të interpretuar në mënyrë të njëanshme procedurat parlamentare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive.

Kjo nënkupton që marrëveshja e bllokut, përmes së cilës z. Mustafa do të bëhej Kryetar i Kuvendit, është de-fakto dhe de-jure e pamundur, dhe rrjedhimisht, marrëveshja si e tillë është e parealizueshme dhe duhet rishikuar. Qëllimi i këtij rishikimi është akomodimi i liderit të partisë më të madhë brenda bllokut, Isa Mustafa, në një pozitë më të lartë se ajo e Kryetarit të Kuvendit. Në rrethanat e tanishme dhe presionit brenda LDK-së, Isa Mustafa do të kërkojë pozitën e Kryeministrit.

Pengesë tjetër për bllokun LAN është Lëvizja Vetëvendosje. Qëndrimet e tyre refuzuese dhe radikale karshi Listës Serbe e rrezikojnë seriozisht mandatimin nga Presidentje herën e dytë, në rast se PDK nuk arrin të formojë qeverinë gjatë mandatimit të parë.

Tashmë është e qartë që Lista Serbe nuk do të jetë aty ku është edhe Vetëvendosje. Në vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese thuhet se Presidentja duhet të marrë parasysh disa kritere mbizotëruese në identifikimin e kandidatit për Kryeministër dhe – sipas këtyre burimeve – kriter thelbësor do të jetë që kushdo që do të jetë kandidat për Kryeministër duhet të sigurojë gjithpërfshirjen e komuniteteve, ashtu si kërkohet në Kushtetutë.

Duke pasur parasysh këto rrethana, bashkësia ndërkombëtare e sheh si një opsion real por me pasoja minimale që LDK të flasë me PDK-në për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të ngjashme që kemi parë në Gjermani. Kjo do të ishte një formulë që do t’i sjellë Kosovës stabilitet politik në qeverisje dhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme në katër vitet e ardhshme, duke përfshi Gjykatën Speciale, ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore.

(lajmi.net)