Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar me emocione të veçanta vëllanë e tij, heroin Luan Haradinaj, në 29-vjetorin e rënies, përmes një postimi në Facebook.
Ai theksoi se kjo ditë përkon edhe me lindjen e kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke e cilësuar si një datë me peshë të madhe historike dhe simbolike për kombin shqiptar.
Haradinaj bëri të ditur se homazhe janë zhvilluar në Deçan dhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ku u nderua jo vetëm Luan Haradinaj, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare Smajl Haradinaj.
Në mesazhin e tij, ai e përshkroi Luanin si një ndër luftëtarët e parë të lirisë, i cili u rreshtua herët në organizimet çlirimtare dhe kontribuoi në themelimin e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke u bërë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan luftës për çlirimin e vendit.
“Krenaria për sakrificën dhe heroizmin e tyre do të mbizotërojë gjithmonë mbi dhimbjen. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj, duke e kthyer këtë përkujtim në një mesazh personal dhe kombëtar njëkohësisht. /Lajmi.net/