Ramush Haradinaj nuk i do zgjedhjet në mars

Ramush Haradinaj nuk preferon që zgjedhjet të mbahen në muajin mars, sepse beson se do të rrezikohej kualiteti i tyre. Ai rikujton që zgjedhjet lokale të vitit të kaluar vendosën një standard dhe thotë se nuk guxohet të ndodhë kthimi mbrapa.

Lajme

01/02/2014 11:50

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në muajin mars do ta rrezikonte kualitetin e tyre.

Haradinaj, pas takimit me përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, është shprehur se nuk i do zgjedhjet në muajin mars.

Ai tha se mbarëvajtja e zgjedhjeve të fundit komunale në Kosovë vitin e kaluar, ka shënuar një standard të ri në organizimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, ky standard duhet mbajtur duke bërë zgjedhje të përgatitura mirë.

“Jo nuk jam (që zgjedhjet të mbahen në mars). Po ju them arsyet pse. Për të mbajtur zgjedhjet në muajin mars, atëherë më nuk janë të rregullta”.

“Frika e ime dhe besoj e të gjithë neve në Kosovë është që Kosova të mbajë zgjedhje, por që nuk janë mirë të organizuara, që ndodh ose kontestim, ose një rezultat, ose një sukses zgjedhor, i kualitetit më të dobët sesa këto komunale që i mbajtëm”.

“Kosova është mirë që ka arritur standardin e zgjedhjeve, por nuk guxon të kthehet mbrapa. Zgjedhjet parlamentare duhet të jenë edhe më mirë të organizuara”.

“Do të ishte një rrezik në rast se mbahen zgjedhjet në mars për kualitetin e zgjedhjeve”, ka thënë Kryetari i AAK’së.