Ramë Buja me bindje të plotë thotë se Thaçi nuk e ka shkruar Komunikatën 59: Do të më thoshte Ramë e shkrova por gabova

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja ka thënë se është i bindur se Hashim Thaçi nuk e ka shkruar Komunikatën 59. Ai ka thënë se si një mik i mirë i tij e njeri i afërt, nëse Thaçi do ta bënte këtë do t’i tregonte dhe do ta pranonte gabimin e tij. “Po ta dija kush…

Lajme

23/10/2024 19:57

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja ka thënë se është i bindur se Hashim Thaçi nuk e ka shkruar Komunikatën 59.

Ai ka thënë se si një mik i mirë i tij e njeri i afërt, nëse Thaçi do ta bënte këtë do t’i tregonte dhe do ta pranonte gabimin e tij.

“Po ta dija kush e ka shkruar atë komunikatë do ta thoja atëherë. Hashim Thaçi nuk e ka shkruar jam mëse i sigurt nuk mund të them 100% sepse 100% është vetëm vdekja por jam shumë I sigurt sepse në raportet që kemi pasur me të dhe kemi do të më kishte thënë, Ramë e shkrova por gabova sepse nuk i kam pasur unë njohuritë që i ke ti. Jam shumë i sigurt që do ta kishte thënë por në fakt kurrë nuk është thënë dhe kam besuar që nuk është hiq e qëndrueshme ajo që është thënë për Hashimin sepse nuk e ka shkruar ai”, ka thënë Buja për T7.

Ai ka thënë se kjo Komunikatë ka qenë shumë e dëmshme për familjen Geci pasi që janë paraqitur si tradhtarë të kombit por që sipas tij atëkohë ka qenë shumë e lehtë të shkruhej diçka e tillë nga kushdo që nuk ishte anëtarë i shtabit.

“Kudo që ajo është shkruar dhe sido që të jetë, ka shkaktuar shumë dëm te ajo familje që është cenuar në radhë të parë, sepse nuk ka akuzë më të rëndë se ti thuhet dikujt që je tradhtar i kombit tënd dhe kush nuk e përcepton këtë gjë nuk është në terezi. Dhe pikërisht për këtë, mua më vjen keq sinqerisht, më vjen keq thellësisht që kanë nxjerr probleme të mëdha për atë familje për një kohë dhe pastaj goditje për palën tjetër, kushtimisht ta them. Unë jam shumë i bindur që Hashim Thaçi nuk ka dorë në atë gjë por kjo po përflitet shumë. Unë nuk dua të komentoj mendimet e askujt unë po e them mendimin tim, nuk mund ta mohoj atë që kam qenë i afërt i Hashimit dhe anëtarë i shtabit, bashkëudhëtarë për Rambuje, bashkëveprues atje, kështu që un kam besuar gjithmonë”, ka shtuar mes tjerash Buja.

Video: