Ramadani: Skandal i madh siguria në kampin e njësive speciale në Vrellë, për fabrikën e municionit vetëm fjalë

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke përmendur filmimet e publikuara në YouTube nga kampi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, kërcënimet nga Serbia dhe Rusia, si dhe vonesat në projektin e fabrikës së municionit në Gjakovë. Duke folur për këto çështje, Ramadani ka thënë…

Lajme

22/10/2026 11:06

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke përmendur filmimet e publikuara në YouTube nga kampi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, kërcënimet nga Serbia dhe Rusia, si dhe vonesat në projektin e fabrikës së municionit në Gjakovë.

Duke folur për këto çështje, Ramadani ka thënë se një person i njohur si Med Medith, javë më parë kishte hyrë në kampin e njësive speciale në Vrell, ku kishte filmuar dhe publikuar pamje nga objekti.

Sipas tij, rasti ngre shqetësime serioze, pasi bëhet fjalë për një objekt me rëndësi të veçantë për sigurinë e Kosovës dhe jo për një hapësirë publike.

“Pra, s’po flasim për një park publik, po po flasim për një objekt të rëndësisë së veçantë, infrastrukturë kritike të sigurisë kombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka kërkuar që rasti të hetohet seriozisht, duke ngritur edhe mundësinë që hyrja dhe filmimet të kenë qenë një testim armiqësor i sigurisë.

“E qartë, siguria është shkelë dhe ky është skandal fort i madh, që kërkon hetim serioz”, ka thënë ai.

Ramadani ka folur edhe për kërcënimet që, sipas tij, vijnë nga jashtë Kosovës, duke përmendur deklaratat e Ivica Daçiqit në Serbi dhe të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Ai ka kritikuar mungesën e reagimit të diplomacisë së Kosovës ndaj këtyre deklaratave, duke vlerësuar se mungesa e një plani të qartë pamundëson arritjen e rezultateve.

Një tjetër çështje që Ramadani e ka ngritur është fabrika e municionit në Gjakovë. Ai ka kujtuar deklaratat e ministrave dhe kryeministrit se prodhimi i municionit do të niste deri në fund të vitit 2026, por ka pretenduar se deri më tani nuk është bërë përparim i dukshëm në terren.

“Ministri, kryeministri, dhjetëra herë na kanë thënë që në fund të vitit 2026 prodhohet municion në Gjakovë. A e dini që asnjë tullë s’u bë?”, ka deklaruar Ramadani.

Në fund, deputeti i Aleancës ka kritikuar atë që e konsideron mbështetje të tepruar në deklarata, duke kërkuar rezultate konkrete dhe llogaridhënie për shpenzimin e parasë publike.

“Boll me fjalë, se fjalët nuk e mbulojnë edhe keqpërdorimin e parasë publike”, ka përfunduar Ramadani. /Lajmi.net/