Ramadan Nishori nderohet me “Çmimin e Guximit-Vasfije”
“Vasfija është forca dhe guximi jonë”, kështu tha Ramadan Nishori në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Burri i parë i cili rrëfeu publikisht tmerrin e përjetuar gjatë luftës në Kosovë, sot u nderua me “Çmimin e Guximit-Vasfije”. Vasfije Krasniqi dhe Ramadan Nishori, të dy…

Lajme
“Vasfija është forca dhe guximi jonë”, kështu tha Ramadan Nishori në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Burri i parë i cili rrëfeu publikisht tmerrin e përjetuar gjatë luftës në Kosovë, sot u nderua me “Çmimin e Guximit-Vasfije”. Vasfije Krasniqi dhe Ramadan Nishori, të dy të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar për sfidat dhe rrugëtimin e tyre pasi publikisht folën për tmerrin që përjetuan. Ndër tjera, në këtë përvjetor u tha se për 26 vjet QKRMT ka ofruar shërbime direkte për mbi 12 mijë persona.
Gruaja e parë e cila rrëfeu publikisht në vitin 2018 për atë çfarë i ka ngjarë si 16-vjeçare, Vasfije Krasniqi Goodman tha se sot shoqëria është më e gatshme dhe më pak paragjykon këtë kategori të luftës.
“Një ditë para se të dalë publikisht, kur jam takuar me juve, me doktoreshën Feride dhe unë e pata dilemën se a mund të flas apo jo, ka qenë shumë e vështirë edhe sot është shumë e vështirë se jetojmë me një rreth që paragjykohemi shumë, kam pasur shumë pikëpyetje se a mund të ja dalë, si do të reagojnë njerëzit, por përkundrazi reagimet kanë qenë shumë të mira, kam pasur shumë përkrahje. Edhe sot e kam pak të vështirë, se kur të më shohin njerëzit më thonë heroina e Kosovës, ose fjalë të ndyta, jo kjo e dhunuara por…”, ka thënë Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e parë e cila foli publikisht për dhunimin seksual gjatë luftës në Kosovë.
Edhe Ramadan Nishori, burri i parë i cili gjatë këtij viti foli publikisht tha se “forca dhe guximi jonë është Vasfija”.
“Kam menduar se unë çka kam kaluar para se me ardhur në organizatë te ju, në sa sfida kam kaluar unë edhe jam dalë edhe kam menduar që ka edhe shumë të mbijetuar të tjerë të cilët janë duke kaluar nëpër atë rrugë që kam kaluar unë. Më lejoni të përshëndes heroinën tonë të gjallë, se kjo është, Vasfija është forca dhe guximi jonë unë e kam marrë forcën dhe guximin prej Vasfijes”, tha ai.
Vasfije Krasniqi Goodman para shtatë vjetësh, me historinë e saj heshtjes i dha zë, tha drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.
“Për këto 26 vjet përfituan mbi 12 mijë persona nga shërbimet tona direkte, më shumë se 20 mijë njerëz janë mbështetur nga puna jonë dhe dokumentuam mbi 1400 raste të historive të dhimbshme të grave dhe të burrave që përjetuan dhunë seksuale në mënyrë që këto histori të mos harrohen nga vendi. Këto nuk paraqesin vetëm numra dhe shifra, statistika, secili nga ky numër paraqet lot, paraqet dhimbje por paraqet edhe jetë të ndryshuar. Familje që kanë rifilluar ta marrin vetën dhe kanë shpresë, e mbi të gjitha njerëz që kanë filluar sërish të jetojnë me dinjitet”, u shpreh ajo.
Në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të QKRMT-së, drejtoresha Rushiti tha se “po shënojmë jetëra të ndryshuara, zëra të dëgjuar, e drejtësi të fituara”.
“Në këto 26 vjet punë dhe angazhim, nuk po shënojmë vetëm ditët e ekzistencës tonë, po shënojmë jetëra të ndryshuara, zëra të dëgjuar, e mbi të gjitha edhe drejtësi të fituara. Kur e nisëm punën dhe veprimtarinë e Qendrës Kosovare për Rehabilitim në vitin 1999, para vetës kishim mijëra njerëz të thyer shpirtërisht, mentalisht dhe fizikisht. Kosova sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte lënë plagë të thella në trupin dhe mendjen e secilit qytetar në Kosovë. Atë botë nuk ekzistonte një sistem i atillë, i cili ishte në përgjigje të të gjithë këtyre plagëve të dala nga lufta, por ishte një ekip i cili besonte që këto plagë mund të rimëkëmben dhe mund të rehabilitohen. Dhe kështu nisi misioni jonë, të shërojmë plagët e luftës, të rindërtojmë jetë dhe të rikthejmë dinjitetin atje ku ishte përbuzur dhe shkelur”, tha ajo.
Psikologia klinike në QKRMT, Selvi Izeti ka ngritur shqetësimin për afatet kohore për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale.
“Kur ne vendosim afate kohore për të njohur dhimbjen e të mbijetuarve, kur ne e vendosim këtë afat ne e vendosim mesazhin tek të mbijetuarit që koha juaj ka mbaruar, e si mund të njihet me afat kohor dhimbja e të mbijetuarve në kontekst lufte. A mund t’i themi ne të mbijetuarve se shërimi juaj është me orar të caktuar, se drejtësia është me afat të caktuar, sigurisht që jo. Kemi të bëjmë me krime lufte, ku ato nuk duhet të kenë afat të caktuar dhe të mbijetuarit kurdo dhe kudo që të jenë gati, ata mund të shpalosin dhimbjen dhe të jenë të dëgjuar dhe të ju njihet ajo dhimbja. Prandaj ne sot jemi mbledhur që së bashku t’i nderojmë zemrat”, deklaroi Izeti.
Aplikimi për njohjen e statusit ka filluar në vitin 2018, dhe prej asaj kohe kanë aplikuar mbi 2000 persona.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.
Deri më tani janë shpallur katër aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është dënuar me 13 vjet burg, në rastin tjetër Vukotiq është liruar, Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet. Gjatë vitit është shpallur edhe aktgjykimi i parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës, ku Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë dënuar me nga 15 vjet burgim./kp