Analisti Sadri Ramabaja në një deklarim të tij ka folur në lidhje me ish-komandantin e zonës së Nerodimes, Shukri Bujën për të cilin ka thënë se nuk e meriton gradën e gjeneralit.
Ai duke folur për gradën “gjeneral” tha se Buja nuk ishte në mesin e tyre që e meritonte këtë gradë pasi sipas tij nuk ka marrë pjesë në 18 beteja.
“Në literaturën politike dhe ushtarake, gjeneral të luftës zakonisht bëhen ata që marrin pjesë në më së paku 18 beteja. Unë mendoj se është tepruar me gradën e gjeneralëve pas luftës. E di që një pjesë e tyre e meritojnë më shumë se gjeneral, duhet të iu hiqet kapela por e ka gradën general dhe në çfarë beteja ka marrë pjesë ai Shukri Buja. Gjeneral e ka gradën, çfarë gjenerali është ai?”, ka thënë Ramabaja në një intervistë të tij në RTVD.
Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar organizatat e dala nga lufta, shkruan lajmi.net.
OVL-UÇK dega në Ferizaj, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Gjenerali Shukri Buja nuk është vetëshpallur dhe nuk ka nevojë për certifikim nga ata që dikur s’kishin guxim të flisnin, e sot mundohen të rishkruajnë historinë”.
Siç shkruan kjo organizatë, ai ka qenë në krye të betejave vendimtare, duke udhëhequr luftëtarët e UÇK-së në Zonën e Neredimës kundër forcave serbe.
“Këto sulme të vazhdueshme ndaj figurave të shquara të luftës nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një strategjie për të zhvlerësuar Luftën Çlirimtare dhe për të përçarë ata që dikur u rreshtuan krah për krah në front. Kur njëherë sulmohet Ramush Haradinaj, pastaj Shukri Buja, e nesër një tjetër komandant apo ushtar, është e qartë se qëllimi nuk është debati mbi gradat, por përpjekja për të zhbërë krenarinë e një populli. Për ne, luftëtarët e UÇK-së, titujt nuk janë thjesht grada formale – ato janë simbol i sakrificës, gjakut të derdhur dhe betejave të fituara. Nëse ka dikush që ka merituar çdo titull të dhënë, janë ata që me armë në dorë i dolën përballë okupatorit, e jo ata që sot rrinë e debatojnë në studiot televizive”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë reagim ka thënë se as Donika Gërvalla, as Sadri Ramabaja, as askush tjetër nuk mund ta zhbëjë të vërtetën e luftës sonë. UÇK-ja ishte dhe mbetet themeli i lirisë së Kosovës, dhe kushdo që guxon ta vë në pikëpyetje këtë fakt, është duke i shërbyer vetëm armiqve të saj.
“Misioni i OVL-UÇK-së ka qenë dhe mbetet mbrojtja e vlerave të Luftës Çlirimtare dhe dinjitetit të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Në këtë periudhë zgjedhore, kur vendi ka nevojë për unitet dhe fokus në të ardhmen, debatet mbi personalitetet e luftës nuk duhet të jenë pjesë e përplasjes politike. Lufta e UÇK-së është vlerë e pacenueshme dhe nuk mund të përdoret për qëllime elektorale”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe OVL-UÇK dega në Lipjan e cila duke komentuar këtë deklaratë ka thënë se “ky person, që duket se as pas luftës nuk ka pasur guxim të ndjekë emisionet, gjykimin e Millosheviqit dhe dëshminë e Gjeneral Bujës në Hagë kundër Millosheviqit, si dhe dëshminë në rastin e gjykimit të padrejtë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, nuk mund të na fyejë”.
“Ne, që ishim krah tij gjatë luftës dhe që u komanduam prej tij, nuk do të lejojmë që të fyhemi nga njerëz si Ramabaja”, thuhet n1% reagimin e OVL-UÇK dega në Lipjan. /Lajmi.net/