Rama tregon planin konkret për hekurudhën strategjike Durrës–Prishtinë

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se zhvillimi i rrjetit hekurudhor në vend është një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Mes linjave të ndryshme që po rikonstruktohen ose ndërtohen, Rama veçoi projektin ambicioz të hekurudhës Durrës–Prishtinë, që sipas tij, po ecën drejt fazave të zbatimit konkret. “Ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën…

Lajme

09/03/2026 19:46

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se zhvillimi i rrjetit hekurudhor në vend është një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

Mes linjave të ndryshme që po rikonstruktohen ose ndërtohen, Rama veçoi projektin ambicioz të hekurudhës Durrës–Prishtinë, që sipas tij, po ecën drejt fazave të zbatimit konkret.

“Ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit, Durrës–Prishtinë. Në takimin e fundit me kryeministrin Kurti kemi diskutuar për mundësinë e dy financimeve të huaja që do ta mundësojnë avancimin e projektit,” tha Rama.

Sipas tij, kjo linjë pritet të integrohet me rrjetet hekurudhore europiane, duke respektuar standardet bashkëkohore dhe duke synuar elektrifikimin e shtrirjes prej 530 kilometrash të planifikuara.

Rama nënvizoi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e transportit hekurudhor, që synon të lidhë Shqipërinë me rajonin dhe të përmirësojë lidhjet ndërkombëtare.

Ndërtimi i kësaj hekurudhe, tha ai, kërkon durim dhe përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe reputacion ndërkombëtar dhe stabilitet ekonomik që Shqipëria tashmë e ka fituar.

Rama siguroi se qeveria ka një plan të qartë dhe të strukturuar për realizimin e këtij projekti strategjik, i cili do të ndryshojë rrënjësisht lëvizshmërinë dhe transportin rajonal.