Rama: Të palumtur me Nishanin, Llallën dhe KLD-në

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar kanë prezantuar paraditen e së hënës arritjet e qeverisë në 300 ditët e para të saj. Sipas Ramës “gjithçka që është arritur në këto 300 ditë nuk është merita jonë, por e të gjithë atyre që në 23 qershor, me votën e tyre, investuan tek ky projekt fitues”.

Lajme

14/07/2014 17:16

Në këto 300 ditë arritëm diçka fare të thjeshtë, por që dukej e pamundur para 300 ditësh, asnjë sipërmarrës nuk ndihet më në vështirësi me qeverinë për shkak të përkatësisë së tij politike dhe asnjë media nuk vihet në vështirësi për shkak të bindjeve politike, vlerësoi kryeministri shqiptar, raporton Top Channel.

Edi Rama u shpreh se qeveria ka vendosur më në fund marrëdhënie etike me institucionet e pavarura: “Nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, nuk jemi të lumtur me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk i diskreditojmë institucionet që ata drejtojnë. Nuk jemi të lumtur me KLD-në, por mandati që na është dhënë na imponon të kemi marrëdhënie etike me të”.

Në lidhje me statusin e vendit kandidat, kryeministri deklaroi se pa punën e qeverisë aktuale Shqipëria do ishte ende në pritje të tij. “Statusin e kandidatit Shqipëria nuk do e kishte marrë pa luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe pa rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Lazarati tashmë është një fshat si gjithë të tjerët dhe vendi ynë ka hequr njollën e një vendi ku lulëzon droga. Ia dhamë statusin Shqipërisë nëpërmjet dinjitetit, duke mos e kërkuar atë si lëmoshë e duke mos e lidhur me qëllimet tona si qeveri apo me përmbajtjen e punës sonë, por duke argumentuar me seriozitet të drejtat dhe arsyet e forta pse Europa duhet t’i shohë shqiptarët jo si problem, por si një aset të çmuar”.