Rama: Qeveria po rrezikon Lojërat Mesdhetare 2030, kërkon nga Kurti zbatimin e marrëveshjeve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur sërish shqetësimin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po i trajton përgatitjet për këtë ngjarje sportive. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se qasja e ekzekutivit po rrezikon mbajtjen e garave, duke iu referuar edhe një…

Lajme

02/11/2026 20:36

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur sërish shqetësimin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po i trajton përgatitjet për këtë ngjarje sportive.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se qasja e ekzekutivit po rrezikon mbajtjen e garave, duke iu referuar edhe një letre të datës 15 tetor nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Sipas Ramës, në këtë letër është shprehur shqetësimi se veprimet e Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se këtë çështje e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Komitetit Organizativ, duke kërkuar që përgatitjet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në dhe të respektohen marrëveshjet e vendimet e miratuara.

“Në letrën e datës 15 tetor, ICMG-ja ka paralajmëruar qartë se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ, përsërita qëndrimin tim, përgatitja dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e saj dhe duke zbatuar marrëveshjet dhe vendimet e miratuara deri më tani!”, ka shkruar Rama.

Kreu i Prishtinës ka thënë se kryeqyteti i ka përmbushur obligimet që lidhen me organizimin e këtij eventi, ndërsa ka kërkuar që edhe Qeveria t’i kryejë përgjegjësitë e saj.

Rama i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjeve dhe vendimeve për të cilat, sipas tij, institucionet janë dakorduar dhe janë zotuar.

“Po e ngre publikisht alarmin: Rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare PRISHTINA 2030 është serioz. Kryeministër, zbatoni atë për të cilën jeni dakorduar, keni nënshkruar dhe jeni obliguar. Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj! Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, ka deklaruar ai. /Lajmi.net/