Rama: Projekti në Zvërnec, i jashtëzakonshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, si “të jashtëzakonshëm”. Ky është reagimi i parë i Ramës pas protestave kundër ndërtimit të resotit në Zvërnec, ku u lëndua edhe një qytetar. Rama tha se projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve më 2023.…
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, si “të jashtëzakonshëm”.
Ky është reagimi i parë i Ramës pas protestave kundër ndërtimit të resotit në Zvërnec, ku u lëndua edhe një qytetar.
Rama tha se projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve më 2023.
“Ka qenë një interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë ka qenë se Sazani është tokë publike dhe jemi të gatshëm të punojmë me ju, por ajo tokë nuk shitet, shteti shqiptar do të jetë palë, ortak. Për projektin e Zvërnecit u kemi bërë të qartë se duhet ta zgjidhin me pronarët. Ky është fillimi”, tha Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Sociale, të cilën e drejton.
“Bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar atë, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë, ndaj edhe projekti ka pasur interesimin e mediave amerikane dhe evropiane, por me agjendë, jo për të informuar për zhvillimin e Shqipërisë por për të gjetur ‘gjilpëra në kashtë’. Ndaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore, në arkitekturë, inxhinieri, mjedis, aspektin juridik, etj”, tha Rama.
Sipas tij, Qeveria shqiptare ka mbrojtur interesin e vendit, duke theksuar se një projekt i vjetër është refuzuar nga autoritetet sepse “kërkuam standarde të larta”.
Zona ku kanë nisur punimet për ndërtimin e një resorti është pjesë e një peizazh të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo konsiderohet ndër habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe migratorët, përfshirë dhe flamengot.
Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në mars të vitit 2024 deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.
Sulmet ndaj projektit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cilësoi si politike. Ai tha se ka duruar çdo sulm për shkak të vizionit që ka për Shqipërinë dhe se, sipas tij, pa këtë vizion, nuk i nevojitet karrigia e pushteti.
Ai tha se projekti në Zvërnec me vlerë prej 4 miliardë eurosh, është një prej investimeve që synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit, ndaj dhe ndaj tij “ka sulme”.
Rama tha se pesë studio arkitekturore të njohura në botë janë angazhuar nga investitorët për këtë projekt dhe gjithashtu inxhinierët më të mirë të mjedisit.
“Keni parë që kanë ardhur investitorët dhe ajo zonja….[Ivanka Trump] nuk ka ardhur për pushime, por kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të historisë, gjeodezisë, këtu në Shqipëri të cilët kanë folur për të gjitha aspektet, dhe aty një grup i madh njerëzish ka dëgjuar në mbajtur shënime”, tha Rama, duke iu referuar vajzës së presidentit amerikan, Donald Trump, e cila qëndroi në Shqipëri në janar të këtij viti.
Sipas Ramës, në mars të këtij viti është paraqitur “një projekt tjetër, i rikonceptuar, me një qasje tjetër projektuese dhe zhvillimore, duke shtuar se Këshilli Kombëtar i Territorit, që drejtohet nga kryeministri shqiptar “nuk e ka miratuar ashtu siç e kanë paraqitur, por ka vendosur kushte”.
“Projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private të regjistruar në tokë-shtet, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë, pasi ashtu ishte në dy versionet e paraqitura dhe hoqëm. Për marinën është kërkuar të bëhet më pas një projekt në konsultim me ekspertë, dhe pasi të jetë parë projekti në tërësi. Investitorët amerikanë më thanë se gjithçka do ta bëjnë sipas ligjit”, u shpreh Rama.
Ai tha se do të ketë një brez mbrojtës për të ruajtur peizazhin natyrore, cilësinë e habitatit dhe të ruajë proceset ekologjike të zonës.
Pas protestës të 30 majit në Zvërnec, Greqia ka reaguar duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes, pasi një protestues mbeti i lënduar. Protestuesi mban shtetësi shqiptare dhe greke.
Rama i ktheu përgjigje pretendimeve të Athinës, duke theksuar se akti i dhunës ishte nga një grup rojesh private jo nga shteti, siç tha se ka ndodhur me shqiptarët në Greqi.
Sjellja e kompanisë së sigurisë, por edhe policisë së Vlorës “ishte e neveritshme”, tha Rama. Ai vlerësoi veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Shqipërisë për këtë rast.
Reagimi i Greqisë
Pas protestës gjatë fundjavës, Greqia ka reaguar, duke kërkuar sqarime nga Shqipëria, pasi një shtetas grek u lëndua.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ishte edhe një shtetas grek që u plagos”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Sipas kësaj ministria, Ambasada greke në Tiranë po bën “ndërhyrjet e nevojshme pranë palës shqiptare”, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe “përcaktimin e përgjegjësive”.
Përmes reagimit, Greqia thekson nevojën për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të minoritetit kombëtar grek, si edhe rëndësinë e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimit Evropian.
Në përgjigjen e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri tha se ndien keqardhje për situatën që ndodhi në Zvërnec dhe shtoi se autoritetet e dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme.
Në rrjetet sociale u publikua një video, që tregonte një punonjës të një kompanie private të sigurisë që goditi një protestues, ndërsa dy të tjerë e tërhoqën zvarrë atë për disa metra.
Policia e Vlorës tha se protestuesi kishte hyrë me forcë në zonën ku po kryheshin punimet, por pamjet në rrjetet sociale treguan të kundërtën. Drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit, Skënder Hita urdhëroi pezullimin nga detyra të drejtorit të policisë së Vlorës si dhe nisjen e një hetimi disiplinor për drejtues të tjerë të policisë së këtij rrethi.
Ministria e jashtme shqiptare tha se është arrestuar punonjësi i shoqërisë së sigurisë, i cili ushtroi dhunë ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Protesta në Zvërnec nxiti reagim të shoqërisë civile dhe aktivistëve në mbrojtje të mjedisit. Ata thonë se punimet po zhvillohen në kundërshtim me interesin publik dhe po dëmtojnë një zonë të mbrojtur. Pasditen e së dielës u mbajt një protestë para drejtorisë së përgjithshme të policisë.
Më pas qytetarët marshuan drejt ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë. Qytetarët kërkuan përgjigje nga institucionet për veprimet e policisë së shtetit dhe punonjësve të shoqërisë së sigurisë. Ata bënë thirrje që të ndalohen ndërtimet në zonat e mbrojtura.