Rama, Lladrovci e Ahmeti pajtohen: “Pastrimi” duhet të rikthehet te komunat
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se përgjegjësia për menaxhimin e pastrimit duhet t’u rikthehet komunave, duke e vlerësuar këtë si mënyrën më të mirë për menaxhimin e mbeturinave. “Diskutimet tona na sollën deri në pikën ku me marrë përgjegjësi secila komunë për vete. Pra kjo duket që do të jetë mënyra më e…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se përgjegjësia për menaxhimin e pastrimit duhet t’u rikthehet komunave, duke e vlerësuar këtë si mënyrën më të mirë për menaxhimin e mbeturinave.
“Diskutimet tona na sollën deri në pikën ku me marrë përgjegjësi secila komunë për vete. Pra kjo duket që do të jetë mënyra më e mirë që ta shtimë në menaxhim çështjen e pastrimit, sepse për momentin e dimë që ‘Pastrimi’ është kompani regjionale”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se Prishtina, pavarësisht se ka shumicën e aksioneve në ndërmarrje, nuk ka mundësi ta menaxhojë procesin përmes bordit.
“Prishtina, përkundër faktit që i ka 77.6% të aksioneve, ka vetëm një anëtar, një anëtar të bordit. Pra nuk mundet me e menaxhu procesin. Po ashtu Lipjani e Drenasi janë në rotacion, pra edhe Lipjani edhe Drenasi varen nga anëtarët e bordit të komunave të tjera”, ka thënë ai.
Rama ka propozuar që secila komunë të ketë ekipin e saj dhe të jetë përgjegjëse për pastrimin në territorin e saj.
“Kështu që mënyra më e mirë, me përgjegjësinë më të madhe për secilin kryetar, për secilin qytet, është që pastrimi pra të krijohet në bazë të komunave, secila komunë ta ketë ekipën e vet, të jetë përgjegjëse 100% për ekipën e vet edhe për pastrimin e zonave të veta, pra të komunave përkatëse”, është shprehur Rama.
Duke folur për mospjesëmarrjen e kryetarëve të Obiliqit dhe Fushë Kosovës në takim, Rama ka thënë se komunat duhet të bashkëpunojnë për çështjen e ndërmarrjes rajonale.
“Normal që nuk mundemi me i shtyrë me zor këtë komunën e Obiliqit me qenë pjesë. Unë i përgëzoj që kanë formuar kompaninë e tyre të re, po ashtu edhe iniciativën edhe krijimin e kompanisë të re në Fushë Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Ramës, asetet, punëtorët dhe borxhet e ndërmarrjes “Pastrimi” duhet të ndahen në mënyrë proporcionale.
“Po them, kompania ‘Pastrimi’ është kompani regjionale, pra është përgjegjësi e të gjitha komunave edhe si e tillë duhet që asetet, për shembull, me u nda në mënyrë proporcionale, si punëtorët, si asetet, si borxhet që janë, pra të ndahen në mënyrë proporcionale që secila komunë të vazhdojë e të marrë përgjegjësi 100% për zonat e veta”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se edhe komunat që nuk morën pjesë në takim duhet të përfshihen në diskutimet për të ardhmen e ndërmarrjes.
“Edhe përkundër kësaj që e kanë deklaruar kryetari i Obiliqit, kryetari i Fushë Kosovës, ne nuk i komentojmë deklaratat e tyre, por ata me qejf ose pa qejf kanë me u ulë me neve sepse na duhet të merremi vesh për kompaninë”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka thënë se nuk mund të ndahet vetëm një pjesë e përgjegjësive nga ndërmarrja rajonale.
“Kërkush s’e merr përgjegjësinë për një kompani që është e themeluar nga të gjitha këto komuna me i marrë veç vetë borxhet apo edhe të mirat e saj. Ne jemi në themelim, ne jemi në gjendje shumë të rëndë në komunat tona me mbeturinat”, është shprehur Lladrovci.
Në anën tjetër, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se ndërmarrja duhet të rikthehet në komunat përkatëse, duke e kthyer edhe përgjegjësinë te kryetarët e tyre.
“Mendoj që kjo ndërmarrje regjionale duhet të rikthehet në statusin e mëhershëm që ka pasur”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, ndarja e ndërmarrjes duhet të bëhet me vullnetin e komunave që janë pjesë e saj.
“Me vullnetin e këtyre komunave që janë pjesë përbërëse e kësaj kompanie duhet të shkëputen, në mënyrë që të kthehet përgjegjësia dhe llogaridhënia direkte tek kryetarët e komunave, përkatësisht tek komunat”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka theksuar se edhe komunat që nuk ishin të pranishme në takim kanë pjesë në ndërmarrjen “Pastrimi”.
“Kështu edhe këto komunat që sot nuk janë për shkak të pushimeve ose agjendave të tyre ose arsyet të tjera, kanë hise në këtë ndërmarrje, kanë punëtorë, kanë asete”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/