Rama kritikohet për deklaratat për kolonat në kryeqytet, opozita e quan joserioz

Kolonat e gjata e pritja me orë në kolonat e gjata në Prishtinë ka bërë që kritikat t’i drejtohen Kryetarit, Përparim Rama njëra pas tjetrës. E akoma më shumë iu drejtuan kur zgjidhje nga kryetari u cilësua leximi apo dëgjimi i muzikës e madje edhe ecja, gjatë kohës së ngecjes së qytetarëve në kolona. “Kur…

Lajme

23/10/2024 21:23

Kolonat e gjata e pritja me orë në kolonat e gjata në Prishtinë ka bërë që kritikat t’i drejtohen Kryetarit, Përparim Rama njëra pas tjetrës.

E akoma më shumë iu drejtuan kur zgjidhje nga kryetari u cilësua leximi apo dëgjimi i muzikës e madje edhe ecja, gjatë kohës së ngecjes së qytetarëve në kolona.

“Kur ka kolona të gjata dhe ndiheni të bllokuar, nëse situata e lejon, mund të dilni nga vetura. Po ashtu dëgjoni muzikë, lexoni diçka”, u shpreh Rama.

Për ata që ndajnë një sallë kuvendi komunal me të, kjo deklaratë e Ramës nuk përbën habi.

Granit Geci, Asamblist i PDK-së në kryeqytet deklaroi se “Po bëhet një kohë e gjatë që Rama nuk po e trajton seriozisht asnjë problem që qytetarët ballafaqohen me të dhe këto tallje vetëm sa e shtojnë irritimin. Kjo qasje e kryetarit Rama nuk i kontribuon zgjidhjeve afatgjata të problemeve që po ballafaqohemi”.

E të njëzëri shprehen edhe Lëvizja Vetëvendosje të cilët vlerësojnë se kolonat, i shkaktoi vet Rama me punimet.

Petrit Reçica, Asamblist i LVV-së tha se “Të ulet të mendojë para se të marrë vendime për mbylljen e rrugëve, jo veç ‘po e bëj shesh’. Çka po të duhet ai shesh për do shtëpiza e këndej bllokim qyteti. “Po e bllokoj kurrizin”, por pse 8 muaj? Se po duan lokale të krijojnë aty ku kalonin veturat…Lutemi të kalojë koha, ta kryej mandatin e të ecë për Londër ashtu që të kryejmë punë”.

Televizioni ka kontaktuar vet Ramën për të marrë një qëndrim të tijin por i njëjti ka qenë i pa qasshëm në telefon. Ndërkaq nga kabineti nuk i janë përgjigjur interesimit të Dukagjinit.

Kryetari Rama së fundmi ka mbyllur për qarkullim tunelin e Kurrizit në Dardani, ngase i njëjti i është nënshtruar renovimit.

Ndërkaq, që nga viti i kaluar, i njëjti ishte kritikuar edhe për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush”.