Rama: Këtë mandat të mos projektojmë kriza artificiale e bllokada
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili sapo është betuar për mandatin e tij të dytë, në fjalimin inaugurues ka përmendur sfidat e mandatit të kaluar, duke theksuar se bllokadat dhe krizat politike kanë ndikuar më së shumti te qytetarët. Ai tha se mandati i parë nuk ka shkuar ashtu siç e kanë merituar qytetarët,…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili sapo është betuar për mandatin e tij të dytë, në fjalimin inaugurues ka përmendur sfidat e mandatit të kaluar, duke theksuar se bllokadat dhe krizat politike kanë ndikuar më së shumti te qytetarët.
Ai tha se mandati i parë nuk ka shkuar ashtu siç e kanë merituar qytetarët, duke theksuar pengesat me të cilat është përballur, raporton lajmi.net
“E dimë se mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu siç e kanë merituar qytetarët. Ka pasë bllokada të kalkuluara politikisht, vonesa e pengesa”, u shpreh Rama.
Duke shpresuar për një mandat më bashkëpunues, Rama kërkoi reflektim nga të gjithë përfaqësuesit politikë.
Ai theksoi: “në këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin që të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike”.
Rama bëri thirrje për punë të përbashkët dhe kritikë të sinqertë, duke rikujtuar se të zgjedhurit lokalë janë aty për t’i shërbyer qytetarëve.
“Secili prej nesh jemi të votuar për t’iu shërbyer qytetarëve e jo partive politike. Prandaj, e kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetin, por të punojmë me përgjegjësi për të ardhmen tonë. Ne jemi këtu në shërbim të qytetarëve, na sfidoni, na kritikoni, kërkoni më shumë prej nesh. Kritika e sinqertë është motori i zhvillimit, ajo e mpreh udhëheqjen. Ne gjithmonë do ta mirëpresim”, përfundoi ai./Lajmi.net/