Rama kërkon nga Supremja prioritet për rastin e NPB-së: 350 familje kanë mbetur pa paga
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke thënë se në këtë çështje janë të prekura rreth 350 familje. Rama, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka vizituar NPB-në dhe është takuar me menaxhmentin për të diskutuar…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë me prioritet rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke thënë se në këtë çështje janë të prekura rreth 350 familje.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka vizituar NPB-në dhe është takuar me menaxhmentin për të diskutuar për pagat e punëtorëve, të cilat, sipas tij, janë cenuar si pasojë e një vendimi që e konsideron të paligjshëm.
“Këtë çështje e kam adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes tonë, sepse kam parë se vendimi dhe procesi janë të paligjshëm dhe e rrezikojnë ndërmarrjen, siç edhe ndodhi”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij ka insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike, ndërsa tani ka kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet.
“Prandaj, kërkoj nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë këtë çështje me prioritet, sepse 350 familje kanë mbetur pa paga dhe po dëmtohen nga një proces i nisur në qeverisjen e kaluar”, ka deklaruar ai.
Rama ka theksuar se Komuna e Prishtinës, sipas tij, nuk e ka krijuar problemin, por ka vepruar për ta ndalur atë.
“Ne nuk e kemi krijuar këtë problem. Kemi vepruar për ta ndalur. Tani kërkojmë vendim, mbrojtje të ndërmarrjes dhe llogaridhënie”, ka shkruar Rama. /Lajmi.net/