Rama: Ekonomia shqiptare vijon të rritet, 1.5 miliard euro investime të huaja në vit
Kryeministri Edi Rama këtë të diele në podkastin “Flasim” ka folur edhe lidhur me ekonominë teksa theksoi se vijon të rritet dhe ruan trendin e vet pozitiv. “Shifrat e publikuara të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2025 japin një pasqyrë të qartë të ecurisë së qëndrueshme ekonomike të vendit dhe përcaktojnë qartësisht…
Lajme
Kryeministri Edi Rama këtë të diele në podkastin “Flasim” ka folur edhe lidhur me ekonominë teksa theksoi se vijon të rritet dhe ruan trendin e vet pozitiv.
“Shifrat e publikuara të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2025 japin një pasqyrë të qartë të ecurisë së qëndrueshme ekonomike të vendit dhe përcaktojnë qartësisht se edhe në tremujorin e katërt, rritja shkoi në afro 4%, një tregues që konfirmon vazhdimësinë e një ritmi të qëndrueshëm zhvillimi gjatë gjithë vitit të shkuar dhe viteve të mëparshme.
Dhe ajo që ka rëndësi të theksohet është se ekonomia vazhdon të diversifikohet dhe çka është e rëndësishme në këtë pikë është se Shqipëria nuk është më një ofertë ekonomike për të gjithë ata që duan të krijojnë sipërmarrje, që duan të rrisin ekonominë e tyre, që duan të investojnë duke ardhur nga jashtë, thjesht dhe vetëm në një apo dy drejtime, por në thuajse çdo drejtim”, tha ai.
Rama ndër të tjera foli edhe lidhur me turizimin teksa shtoi se shifrat numërojnë 12 milionë turistë në vit. Sipas tij shifrat e investimeve të huaja janë rritur dhe kanë shkuar 1.5 miliardë eurove në vit.
“Këtë javë u zhvillua edicioni i dytë i MatchMaker Albania, një aktivitet që mbledh rreth 1200 pjesëmarrës, afro 500 investitorë ndërkombëtarë nga më shumë se 40 shtete dhe krijon kësisoj një mundësi reale në një hapësirë konkrete, ku idetë, projektet dhe synimet për të krijuar sinergji në funksion të bashkëpunimit për të investuar në Shqipëri marrin formë përmes qindra e qindra takimeve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve të ndryshme.
Ky aktivitet u mundëson të njihen konkretisht me projektet e njëri-tjetrit apo me projekte të cilat presin partneritete të reja, si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat.
Dhe ajo çka mund të thuhet me plot gojën është se tanimë modeli që ne trashëguam kur erdhëm në qeveri, një ekonomi e bazuar në koston e ulët të krahut të punës, i ka lënë vendin një modeli që krijon vlerë të shtuar, që krijon cilësi dhe partneritete afatgjata të qëndrueshme.
Modeli i dikurshëm, që ishte modeli i një vendi me dy-tre milionë turistë, ku për turistë numëroheshim edhe ne shqiptarët sa herë hynim dhe dilnim, dhe me 300-400 milionë euro investime të huaja në vit mesatarisht, i ka lënë vendin një tjetër modeli në një vend që ka 12 milionë turistë në vit dhe ka kapërcyer shifrën e 1.5 miliardë eurove investime të huaja në vit, duke u renditur qartësisht në klasifikimin e vendeve të këtij rajoni si vendi me transformimin më të madh dhe më të thellë të dekadës së fundit”, tha ai ndër të tjera. /euronews/