Rama e akuzoi se ia “bllokoi” projektet me urdhër të Çekut, i reagon drejtoresha e IKMM-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar drejtoreshën e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Rrezarta Loxha-Vitaku, për mosveprim dhe për ndalimin e projekteve në kryeqytet. Rama e ka quajtur drejtoreshën “injorante” dhe ka thënë se ajo nuk e di detyrën e saj, duke e akuzuar se ka zbatuar urdhra nga ministri në…

Lajme

22/04/2025 22:17

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar drejtoreshën e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Rrezarta Loxha-Vitaku, për mosveprim dhe për ndalimin e projekteve në kryeqytet.

Rama e ka quajtur drejtoreshën “injorante” dhe ka thënë se ajo nuk e di detyrën e saj, duke e akuzuar se ka zbatuar urdhra nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, për të bllokuar zhvillimin e kryeqytetit.

Në një intervistë në emisionin “Debat Plus gjatë së hënës, Rama shpjegoi se për projektin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, ku puna ka filluar, nuk ka pasur nevojë të kërkohet pëlqim nga askush, dhe se çdo kërkesë për pëlqim është bërë vetëm për të shtyrë përpara procedurat.

Ai theksoi se ekipi i tij ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin dhe ka vlerësuar se projekti mund të vazhdojë pa pritur miratimin nga autoritetet e tjera.

Nga ana tjetër, Loxha-Vitaku ka reaguar duke mohuar akuzat e Rama, teksa ka thënë se IKMM nuk vepron sipas urdhrave të ministrit dhe se çdo vendim merret pas shqyrtimit nga një komision profesional.

Ajo shtoi se puna e institucionit është të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe zonat mbrojtëse.

“Asnjëherë nuk kemi urdhra (nga ministri Çeku). Nuk është që ne i rrimë pas urdhrave të ministrit, por ministri i pranon raportet tona dhe punë tonë e përcjell ministri dhe instancat tjera. Në këtë rast unë e them kryetari këtu e pat një revoltë pikërisht ndaj meje dhe nuk jam vetëm unë si drejtorësh, por është një komision profesional që e shqyrton çdo lëndë, jo vetëm të komunës, por çdo lëndë që ka ndërhyrë në aspektin e trashëgimisë dhe në zonat mbrojtëse, brenda qendrës historike të Prishtinës”, ka thënë Loxha-Vitaku.