Rama do ta vizitojë edhe Preshevën
Ambasadori Qemal Minxhozi, thotë se Edi Rama gjatë vizitës së tij në Serbi, do ta qëndrojë edhe në Luginën e Preshevës. Ai konfirmoi se i ashtuquajturi projekti i “Shqipërisë së madhe” nuk bënë pjesë në agjendën politike të qeverisë Rama.
Lajme
Shqipëria nuk e ka në agjendë “Shqipërinë e Madhe”, por rrugën drejt integrimin në Bashkimin Europian, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ai në një intervistë për gazetaexpress ka thënë se, në kuadër të vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, parashihet edhe qëndrimi i tij në Luginën e Preshevës.
Vendimin për shtyrjen e vizitës së Ramës në Beograd për 10 nëntor, Minxhozi e ka cilësuar si veprim të mirë.
“Rama do të shkojë edhe në Preshevë. Nuk ka logjikë një vizitë në Serbi pa një vizitë në komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë dhe gjithë rajonin atje. Pra, është një pjesë shumë e rëndësishme e vizitës së z. Rama”, thotë Minxhozi.
Diplomati nga Tirana deklaron se, pavarësisht debateve, shteti shqiptar nuk e ka në agjendë të ashtuquajturin projektin për “Shqipëri të Madhe”.
Duke folur për krizën politike në Kosovë, ambasadori i Shqipërisë u ka bërë thirrje liderëve të partive politike të ulen, të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje për ndërtimin e institucioneve shtetërore.
“Është një kohë shumë e gjatë dhe jo e zakontë. Shqipëria në përgjithësi ka nxitur faktorët politikë relevantë në Kosovë për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejt. Është një ngërç me kosto të madhe për Kosovën”,ka thënë ai.
“Urojmë që kjo mos të ndodh”, thotë Minxhozi, kur pyetet për rrezikun që partitë politike të marrin praktikat e Shqipërisë kur janë në pyetje zgjedhje.
I pyetur për çështjen e eksportimit të miellit kosovar në Shqipëri, Minxhozi tha se deri në fund të vitit Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë marrëveshje për standardizimin dhe përdorimin e produkteve.
“Ne bashkë me palën kosovare po shikojmë mundësinë që deri më 31 dhjetor për të gjithë artikujt ushqimor të kemi standard fiks. Që do të thotë se një mall që merr viston nga laboratorët e Kosovës do të jetë i pranueshëm në Shqipëri. Po kështu, mallrat nga Shqipëria në Kosovë do të pranohen edhe në Kosovë në bazë të një standardi të unifikuar. Kjo do të jetë për pataten, për verën, për ushqimin, për zarzavatet dhe do të jetë për gjithçka”, ka thënë Qemal Minxhozi. (Gazetaexpress).