Rafuna për protestën nesër: Nëse s’ka reagim, ajo do radikalizohet

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur për protestën e nesërme e cila do të mbahet si shkak i mos-shtyrerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh. Rafuna tha se i kanë dhënë mundësi dialogut por edhe institucioneve të vendit, ZRRE-së por…

Lajme

28/05/2025 21:28

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur për protestën e nesërme e cila do të mbahet si shkak i mos-shtyrerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.

Rafuna tha se i kanë dhënë mundësi dialogut por edhe institucioneve të vendit, ZRRE-së por edhe ekzekutivit në detyrë që t’ua japin një fazë të tranzicionit.

Ai u shpreh se kërkesën për fazën e tranzicionit ia bënë edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të cilin e takuan sot, por nga i cili tha se nuk morën shumë shpresë se vendimi do të shtyhet.

“Janë 143 mijë punëtorë të punësuar në këto 1 mijë e 300 biznese. Tani të shohim, nesër do të jetë vetëm hapi i parë, ku është vetëm për ta sjellur në vëmendje që biznesi nuk është i kënaqur me situatën dhe kërkesë të vetme e kemi që të na jepet një fazë e tranzicionit që së bashku ta menaxhojmë dhe ta caktojmë datën apo muajin se kur do të dalim në tregun e lirë”.

“Nëse s’ka reagim, nga ana e bizneseve ka kërkesa që të shkohet duke u shtuar apo duke u radikalizuar protesta. Biznesi nuk pajtohet që më 1 qershor të detyrohet që të shkojë në tregun e hapur. Përgatitjet nuk janë bërë, nuk është përgatitur tregu”, tha Rafuna në Klan.