“Radoiçiqin e konsiderojmë kriminel dhe duhet të dalë para drejtësisë”, detaje nga deklarimi i fundit i ambasadorit Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për sulmin e grupi terrorist serb në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zveçanit dhe Milan Radoiçiqin, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjen e kufirit të Kosovës e shumë të tjera. Hovenier u shpreh se SHBA-të presin nga Qeveria e Kosovës që të…

Lajme

04/07/2024 09:31

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për sulmin e grupi terrorist serb në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zveçanit dhe Milan Radoiçiqin, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjen e kufirit të Kosovës e shumë të tjera.

Hovenier u shpreh se SHBA-të presin nga Qeveria e Kosovës që të dërgojë në Kushtetuese draft-statusin duk ei’u referuar kësaj të fundit si “zgjedhje e qeverisë”.

“Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier në një intervistë në Rubikon.

Ai më tej tha se ShBA-ja dhe BE-ja do ta respektojnë çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë.

“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë gjatë shtatorit 2023 dhe kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Hovenier u shpreh se Qeveria e ShBA-së pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi, teksa përmendi faktin që Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, tha Hovenier.

Hovenier tutje u shpreh se Radoiciqin e njohin si kriminel dhe si i tillë ai duhet të përjetojë drejtësinë.

“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjskë”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për çështjen e kufirit të Kosovës.

“Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri: është në veri të lumit Ibër. Mund të them për këtë çështje, por ka pasur edhe të tjera. Ne dëshirojmë që qeveria të punojë me ne, bashkësinë ndërkombëtare. Dhe nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara. Janë Shtetet e Bashkuara, partnerët tanë të QUINT-it, Bashkimi Evropian, të tjerët, të gjitha organizatat dhe vendet që i duhen Kosovës në anën e saj për të jetësuar vizionin e saj”, tha ambasadori amerikan për Klan Kosova.

Ambasadori amerikan ka folur për marrëdhëniet me Qeverinë Kurti, ai u shpreh i shqetësuar për çështjet që kanë sovranitet dhe qeveria “ndërmerr” veprime për të vendosur sovranitet, duke shtuar këtu se e shohin Kosovën edhe si anëtare të NATO-s.

“Kështu, qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se ne jemi të shqetësuar kur qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmerr veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë, në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, përmes konsultimeve me komunitetet e prekura”, tha Hovenier.