Rabini amerikan: Kosova ka një traditë të mrekullueshme të mirëkuptimit fetar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim Rabinin Jack Bempoard, Drejtori i Qendrës për Mirëkuptim Ndërfetar në SHBA.

Lajme

16/10/2015 11:58

Bempoard sipas zyrës pë media në Kuvendin e Kosovës, falënderoi kryetarin Veseli për mirëpritjen të cilën është duke e përjetuar gjatë vizitës së tij në Kosovë, për të shtuar se rrëfimeve që ka dëgjuar për mikpritjen shqiptare do t’ua shtoj edhe rrëfimin e tij.

Më tutje rabini Bempoard theksoi se Kosova nuk është ndonjë qendër e madhe financiare, as qendër e fuqishme politike, por ka një traditë të mrekullueshme të mirëkuptimit fetar dhe bashkëjetesës fetare, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

“Populli juaj ka një përgjigjeje të mrekullueshme se si duhet religjionet ta trajtojnë njëra tjetrën”, tha Rabini Bempoard, për të shtuar se qëllimi i aktivitetit të tij është që religjionet në botë  në themelet e tyre të zbulojnë së bashku burimet e paqes, mirëkuptimit e bashkëpunimit.

Kryetari Veseli, duke falënderuar rabinin Bempoard për vizitën dhe mesazhet e tij në Kosovë, theksoi përkushtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, dhe të gjithë shoqërisë kosovare, për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin ndëretnik dhe ndërfetar në vend dhe më gjerë.

Më tutje kryetari Veseli shtoi se “ne ndihemi krenarë që modeli ynë i mirëkuptimit fetar është duke frymëzuar gjithandej botës njerëz dhe organizata që punojnë për të mirën e njerëzimit”, tha Veseli. /lajmi.net