Qytetarët të revoltuar me të | Pacolli viktimizohet përsëri: Qëllimi është i qartë, të më thyejnë, që të më rrëzojnë më lehtë

Një tjetër incident publik përfshiu deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila sot u përball verbalisht me një qytetar në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Qytetari, duke e akuzuar për korrupsion, i tha: “Tash hajninë e ke me dokument”, transmeton lajmi.net Por në vend se të jepte shpjegime për përmbajtjen e dokumentit, Pacolli zgjodhi të…

Lajme

26/07/2025 19:51

Një tjetër incident publik përfshiu deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila sot u përball verbalisht me një qytetar në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Qytetari, duke e akuzuar për korrupsion, i tha: “Tash hajninë e ke me dokument”, transmeton lajmi.net

Por në vend se të jepte shpjegime për përmbajtjen e dokumentit, Pacolli zgjodhi të dalë me një reagim të gjatë, ku shfaqet si viktimë e një fushate të organizuar kundër saj.

Në vend që të ballafaqohet me akuzat konkrete që po i bëhen nga qytetarët – të cilat janë në rritje, përfshirë edhe një incident të ngjashëm një ditë më parë në një lokal – Pacolli akuzon analistët dhe mediat për komplot dhe shpifje.

Ajo në postimin e saj përpiqet të zhvendos vëmendjen duke folur për “oligarkë”, “analistë të porositur” dhe një “sulm të orkestruar”.

Ky nuk është incidenti i parë ku Pacolli përballet me reagim publik të drejtpërdrejtë. Por reagimet e saj të vazhdueshme si “e sulmuar” po shihen nga opinioni si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike dhe morale në raport me akuzat në rritje për mungesë llogaridhënieje.

Postimi i plotë: 

“Tash hajninë e ke me dokument”…
Nuk po ndalen sulmet. Po mendoj cilat interesa u kam prishur 🤔 që më janë vërsulur kështu?
Saga e nisur muaj më parë po vazhdon. Sot, një person tjetër më priste në hyrje të Kuvendit, më kishte dal në pritë kinse për të më “kërkuar llogari”.
Më tha: “Tash hajninë e ke me dokument.”
Menjëherë pas kësaj, “analistët” e zakonshëm, ata që paguhen për të më sulmuar, mezi pritën ta shndërrojnë këtë skenë në “lajm”. Me nxitim, në portalet e financuara nga oligarkët, u publikua se tash gjoja ka dalë edhe një qytetar që po e dëshmon “hajninë” me dokument e po kërkon llogari.
Njëri prej “analistëve ” madje shkroi: “qysh të ngritesh në politikë, ashtu edhe bjen”.
Pra, mendojnë se do të më rrëzojnë përmes sulmeve të organizuara, të pabazuara dhe me burra “trima” që çdo ditë ma qesin në pritë nga një.
Qëllimi është i qartë: të më thyejnë, që të më rrëzojnë më lehtë.
Të gjithë u ngutën ta publikojnë “hajninë me dokument”. Një arritje e madhe, apo jo? Por asnjëri nuk pyeti çfarë shkruante në të
vërtetë në atë dokument. Asnjëri nuk u interesua kush ishte ky “trim” i radhës, që mori zemër pas sulmeve të djeshme dhe reagimeve të “analistëve”.
Sepse e vetmja gjë që u intereson është të manipulojnë publikun, ta shtyjnë narrativën se qytetarët po më kërkojnë llogari dhe se “nuk po më lënë vend”.
E vërteta është krejt ndryshe.
Ky “trim” nga Malisheva nuk bëri asgjë më shumë veçse ndjeku shembullin e dhunuesit të djeshëm.
A e kishte ballafaquar ndonjëherë ky “trim” ndonjë burrë të fortë? Apo e kishte pritur momentin të ballafaqohet me mua, me një grua. Për çfarë?! Për “hajninë” që tashmë e kishte të dëshmuar në dokument?!
Ironikisht, këtë “trim” e kam pritur në zyrën time në Kuvend në vitin 2021, bashkë me disa qytetarë të tjerë nga Malisheva.
Atëherë nuk ishte kaq “trim” sa sot.
E kam dëgjuar me respekt, me durim, me kujdesin më të lartë institucional. Kërkesa e tij lidhej me një privatizim që sipas tyre kishte ndodhur në vitin 2007. E kam shqyrtuar kërkesën e tij dhe ekam udhëzuar ti drejtohet institucioneve të drejtësisë..
Ky “trim” nuk kishte guxim t’i vërsulej kështu atyre burrave të fuqishëm që ua kishin privatizuar tokat në vitin 2007. E as atyre që në vitin 2017 nuk i kishin kthyer fare përgjigje. Por sot, ai kishte zgjedhur të më ballafaqoj mua. Për privatizimet dhe hajnitë e burrave të fortë e që ky trim i kishte jarana e që kishin ndodh në një kohë kur unë as nuk jetoja në Kosovë dhe nuk isha fare në politikë.
Tani nuk po e di, a u kam prishur ndonjë interes të madh, apo thjesht u dukem më e lehtë për t’u goditur?
Të dashur qytetarë, ju lutem ndani vetëm 5 minuta nga koha juaj e çmuar. Lexoni vetë dokumentin e bashkëngjitu që sot u paraqit si “prova” për hajni. Aty do ta kuptoni pse “analistëve” dhe mediave prezente nuk u interesoi fare ta shpjegonin se çfarë përmbante ky dokument.
Ju do ta kuptoni se çfarë hajnie ky “trim”, i frymëzuar nga dhunuesi i djeshëm dhe analistët e porositur, e paska dëshmuar sot me dokument?/lajmi.net/