Qytetarët pa maska e pa distancë në vendvotime

Qytetarët e vendit që nga ora 07:00 e mëngjesit janë duke votuar për të zgjedhurit e tyre në Qeveri e Kuvend. Procesi i votimit është duke u shoqëruar me shkelje të masave anti-COVID, ku në qendrat e votimit, shihen grumbuj të njerëzve të cilët nuk respektojnë distancën, e në disa raste janë edhe pa maska.

Lajme

14/02/2021 14:23

Në dy qendra të votimit në Prishtinë, në shkollën “Naim Frashëri” dhe shkollën “Faik Konica”, shihen grumbuj të njerëzve teksa presin për ta ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.

Se nuk ka respektim të masave anti-COVID, kanë deklaruar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilët janë duke e monitoruar procesin e votimit në të gjithë vendin përmes 51 vëzhguesve të tyre.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha për KosovaPress, se në të gjitha qendrat e votimit nuk po respektohen masat anti-COVID, madje ai thotë se këto masa po shkelen edhe nga vëzhguesit e zgjedhjeve.

“Në të gjitha qendrat e votimit nuk është se po respektohen masat që lidhen me parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19. Fatkeqësisht pothuajse edhe komisionerët edhe vëzhguesit po edhe të gjitha ata që po marrin pjesë qytetarët që po votojnë nuk është se po e respektojnë distancën pothuajse fare. Në shumë raste nuk e mbajnë maskën, kështu që në këtë aspekt besoj që nuk kemi respektim ose kemi shkelje të rregullave për parandalimin e sëmundjes COVID-19”, tha ai.

Ai tha se numri i madh i votuesve që po shfrytëzojnë të drejtën e tyre po shkakton tollovi nëpër korridoret e qendrave të votimit.

Miftaraj tha se nga monitorimi kanë vërejtur se në të gjitha shkollat ka shenja që kërkojnë respektimin e masave anti-COVID, dezinfektues, por që tha se nuk kanë vërejtur se ka maska për qytetarët.

“KQZ si duket i ka ndërmarrë të gjitha masat që kanë të bëjnë me parandalimin e kësaj sëmundje, pothuajse shenjat janë vendosur, në çdo vendvotim ka dezinfektues, ka shenja që në një farë mënyre e informojnë qytetarët dhe ata të cilët do të duhej të mirëmbanin këtë proces. Por, që fatkeqësisht e përsëris nuk është që janë duke u respektuar qoftë nga qytetarët, po që është edhe më shqetësuese nga personat kompetent të cilët janë të akredituar ose të certifikuar nga ana e KQZ-së për mbarëvajtjen e procesit…nuk është se kemi identifikuar ndonjë rast ku ka maska, sidoqoftë dezinfektues ka pothuajse në të gjitha vendvotimet është e vendosur një tavolinë ku qytetarët mund të bëjnë dezinfektimin e duarve”, tha ai.

Përndryshe, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11;00 kanë votuar 8.3 përqind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues