Qytetarët më shumë kanë besim te të huajt sesa vendorët

Qytetarët e Kosovës më shumë ju besojnë institucioneve ndërkombëtare, si KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa më së paku ju besojnë shtyllave kryesore të pushtetit vendor, ku hyjnë Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Gjyqësori, Qeveria e Kosovës dhe Partitë Politike.

Lajme

01/12/2014 19:24

Në konferencën për media të thirrur nga Instituti Riinvest, me temë “Qeverisja e Hapur në Kosovë 2014”, janë prezantuar gjetjet nga raporti “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Juglindore”, të dala nga sondazhi i realizuar nga ekipi hulumtues i Institutit Riinvest me 1,000 qytetarë nga mbarë vendi.

Gjetjet e raportit dhe përgjigjet në pyetjet: “cilat janë pikëpamjet e qytetarëve lidhur me transparencën”, “korrupsionin”, “llogaridhënien”, “participimin e tyre në politika publike”, janë shpalosur nga hulumtuesit e avancuar në Riinvest, Premton Hyseni dhe Agon Nixha.

Ekipi hulumtues i këtij instituti vlerësoi se reformat e qeverisjes dhe politikat anti-korrupsion nuk janë konsoliduar. Për më tepër, sipas hulumtimit, korrupsioni tek politikanët e zgjedhur dhe gjyqtarët është në rritje, dhe zbatimi i legjislaturës anti-korrupsion është jo i rregullt, raporton Koha.net.

Ndërkohë sa i përket besimit të qytetarëve në institucione, Agon Nixha tha se qytetarët e Kosovës më së shumti ju besojnë institucioneve ndërkombëtare, si KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa më së paku ju besojnë shtyllave kryesore të pushtetit vendor, ku hyjnë Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Gjyqësori, Qeveria e Kosovës dhe Partitë Politike.

Nga të gjeturat e dala nga raporti “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore”, është konstatuar që zgjidhja e sfidës së korrupsionit në rajon do të kërkonte përpjekje të qëndrueshme në shumë fronte, duke përfshirë pjesëmarrjen e të gjithë grupeve lokale dhe ndërkombëtare në periudhë afatgjate.

Për më tepër, si rekomandime kyçe ndër të tjera janë theksuar: ndjekja penale efektive e politikanëve dhe shërbyesve civilë të nivelit të lartë të korruptuar dhe futja e një mekanizmi monitorues dhe të pavarur anti-korrupsion.