Qytetarët dhe sindikatat e quajnë të pamjaftueshme rritjen e pagave nga janari, thonë se u bë sa për fushatë

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët dhe sindikatat e institucioneve të ndryshme. Ata e konsiderojnë këtë ngritje si të pamjaftueshme dhe e lidhin atë me fushatën zgjedhore. Po ashtu, të njëjtit shprehen skeptik se ky zotim i qeverisë do…

Lajme

14/11/2024 09:59

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët dhe sindikatat e institucioneve të ndryshme. Ata e konsiderojnë këtë ngritje si të pamjaftueshme dhe e lidhin atë me fushatën zgjedhore. Po ashtu, të njëjtit shprehen skeptik se ky zotim i qeverisë do të zbatohet.

Qytetari Isuf Musliu e quan “katastrofale” vlerën për të cilën janë rritur pagat. Ai shprehet se ky vendim është marrë për të fituar vota.

“Rritja e pagave nga qeveria katastrofale. Nuk po bëjnë krahasime, nuk po mendojnë për qytetarët…Nuk është e mjaftueshme. Si është e mjaftueshme për pensione, për shoqërinë civile, për të gjithë. Nuk është e mjaftueshme. Nuk duhet ashtu, veç të thonë po e rrisim dhe në prag të zgjedhjeve kinse po rrisim diçka…Ku kanë qenë deri tash që nuk i kanë rritur? Tani tre muaj para zgjedhjeve po rrisin, çfarë rritje është kjo. Shaka po bëjnë me qytetarët apo? Nëse e kanë për vota, kurrë nuk do të marrin vota prej qytetarëve. Qytetarët hanë bukë, nuk hanë bari. E dinë si. Nuk duhet ta bëjnë për shkak të votave. Kjo padrejtësi, është diskriminim, është gjithçka”, tha Musliu.

E qytetari, Enver Leci thotë se rritja e pagave nuk do të vërehet për shkak të rritjes së çmimeve. Ai shprehet i zhgënjyer nga udhëheqja aktuale, derisa potencon se ka pritur një ndryshim rrënjësor të situatës së punësimit dhe të ardhurave.

“Nuk ka rritje të pagave, të shihet realisht. Çfarë pagash, çfarë pensionesh ka sot. As ndihma sociale nuk janë. Çfarë çmimesh ka sot tregu kosovar, kush mund t’i përballojë, vetëm funksionarët, njerëzit në vende kyçe. Përndryshe, klasa punëtore vështirë t’i përballojë. Standardi i një vendit nuk matet as me të ardhura të një biznesmeni, as të funksionarit, as të deputetit, por matet me rrogë mesatare…E kanë rritur prej dhunës (presionit)…Kemi besuar që me të vërtetë do të kemi një ndryshim radikal, sa i përket punësimit, të të ardhurave, të çdo profili të vlerësohet ashtu siç e meriton, por nuk është askund. E gjitha paska qenë një ëndërr e rrejshme”, tha Leci.

Ndërkaq, Bislim Ademi derisa pohon se këto mjete nuk janë të mjaftueshme për punëtorët shëndetësorë dhe sektorëve të tjerë publik, thotë se shteti nuk ka fonde të mjaftueshme për t’i rritur më shumë pagat.

“Nuk ka fond t’i rrisin më shumë. Ai (kryeministri Albin Kurti) është deklaruar që pas vitit të ri për 50, deri në korrik 100 për qind…Po nuk iu mjaftojnë as mjekëve, as neve, as atyre por nuk ka fond për më shumë”, u shpreh Ademi.

Përveç qytetarëve, edhe sindikatat u shprehën të pa kënaqura me këtë rritje të pagave. Ata konsiderojnë se ky vendim është “lojë e fushatës”.

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri thotë se nuk e ka marrë seriozisht këtë vendim, duke shtuar se ai i përket më shumë fushatës zgjedhore.

“Absolutisht nuk jemi të kënaqur sepse pakënaqësi në shëndetësi ka aq shumë sa nuk mund t’i përshkruajmë. Për arsye se ka kategori të cilat kanë përjetuar zbritje në pagë dhe jo vetëm një koeficient por edhe nën dy ne nuk pranojmë rritje të koeficientit. Minimumi duhet të jetë dy, të rritet koeficienti tek punëtorët të cilët kanë përjetuar zbritje të pagave, kur inflacioni është në shkallë kaq të lartë. Çmimet gati se janë dyfishuar dhe kur të llogaritësh absolutisht nuk mund ta quajmë as rritje ne pagë, këtë rritje të cilën në vazhdimësi flet qeveria, flet ministria…Unë jam skeptike në radhë të parë për mënyrën se si do ta bëjnë rritjen një. Jemi të pakënaqur absolutisht me gjysmë koeficienti. Kjo është një lojë e fushatës konsideroj. Por, që pjesën tjetër nuk e kam idenë se në çfarë mënyre do ta rritin. Konsideroj që më shumë i përket fushatës zgjedhore dhe nuk po marrë shumë serioze”, potencon Imeri.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jashari e quan ironike rritje të pagave. Përveç kësaj, ai thotë se kjo mund të jetë vetëm një deklaratë e cila nuk do të zbatohet.

“Konsideroj që kjo nuk është rritje, vetëm deklaratë, ngase ndërlidhet me janarin e tutje dhe po të kishte ndodhur në këtë muaj kjo rritje, është tepër e vogël…Unë flas vetëm për punëtorët e arsimit që nga çerdhet deri në universitet, këtë lajm e kanë pritur me shqetësim dhe ka krijuar pa kënaqësi shtesë. Ne me 3 shtator i kemi bërë kërkesë zotëri Kurti, që së paku koeficienti të ngritet për 30 për qind duke e argumentuar me faktin se e kemi një ngritje të vazhdueshme të çmimeve…Murati në vend të lëvdatave duhet ta thotë të vërtetën në këtë vit kalendarik, ngritja në arsim parauniversitar e pagave me atë lëvizje nga 105 në 110 ka reflektuar me një ngritje 28 euro, që ka qenë irrituese, nënçmuese…Kjo mund të jetë edhe një lojë, një mashtrim do ta quaja ngase flitet për janarin jo për tetorin. Qeveria ka mundur të lëvizë koeficientin, e jo të bëjë këso lëvizje ironike, sepse 50 më pak e 50 më shumë nuk e ndryshojnë jetën e mësimdhënësve që nga çerdhet në universitet”, u shpreh Jashari.

Kryesindikalisti i Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka krahas pakënaqësive të tjera, thotë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Sipas tij, tek zjarrfikësit është krijuar një demotivim dhe zhgënjim për mënyrën se si ata trajtohen.

“Kjo rritje është e pamjaftueshme, për shkak se zjarrfikësit janë edhe ashtu me pagë mjaftë të ulët. Me pagën më të ultë nga shërbimet e tjera emergjente. Kjo ngritje aspak nuk ka ndikuar dhe zjarrfikësit nuk janë shprehur të kënaqur me këtë rritje. Në këtë shërbim ka edhe pakënaqësi, ka edhe probleme të tjera të akumuluara me vite që kërkojnë zgjidhje…Edhe ky vit shkoi dhe problemet e zjarrfikësve nuk u zgjidhën…Është krijuar një demotivim, një zhgënjim, një denigrim tek kjo kategori sepse me të vërtetë po vërehet se për këtë kategori nuk është duke menduar askush”, thotë Beka.

Ndër të tjera, ai përmendi çështjen e statutit të zjarrfikësve, sigurimet shëndetësore, kompensimin e orëve të punës jashtë orarit dhe mungesën e kushteve të punës ndër kërkesat kryesore që duhet marrë parasysh nga niveli qendror.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro. Kështu pati deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për medie derisa tregoi se vlera e koeficientit mbetet 110 euro, mirëpo sipas tij do të rritet sasia e koeficienteve për një njësi.