“Veprime të tilla minojnë besimin publik”- Politizimi nga VV i operacionit të FSK-së në Ujman “çon në këmbë” ambasadat perëndimore

Lëvizja Vetëvendosje është përballur me kritika të ashpra nga ambasadat e vendeve perëndimore, pasi u mundua të paraqesë si meritë të vetën pjesëmarrjen e FSK në një operacion kërkim-shpëtimi në veri të vendit. Operacioni u zhvillua të martën në liqenin e Ujmanit, ku u kërkua trupi i një 33-vjeçari që dyshohet se u hodh në…

Lajme

30/07/2025 13:14

Lëvizja Vetëvendosje është përballur me kritika të ashpra nga ambasadat e vendeve perëndimore, pasi u mundua të paraqesë si meritë të vetën pjesëmarrjen e FSK në një operacion kërkim-shpëtimi në veri të vendit.

Operacioni u zhvillua të martën në liqenin e Ujmanit, ku u kërkua trupi i një 33-vjeçari që dyshohet se u hodh në ujë.

Që në orët e para të mëngjesit, zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka, publikoi një video në Facebook me mbishkrimin “FSK në veri”, duke shfaqur automjete të ushtrisë pranë liqenit, raporton lajmi.net

Pas komenteve për politizimin e rastit, partia reagoi sërish duke shtuar se tragjedia është fatkeqësi. Ekipet e FSK-së janë aty pikërisht për shkak të saj.

“Tragjedia është fatkeqësi. Ekipet e FSK-së janë aty pikërisht për shkak të saj. Por fakti që për herë të parë Ushtria e Kosovës shkon në atë pjesë është ngjarje historike dhe si e tillë duhet të shënohet. Është tjetër gjë që Policia dhe Ushtria, për nga natyra e misionit të tyre, angazhohen kryesisht në ngjarje të rënda, jo në festa. Po të ndjekim logjikën e portaleve që e quajnë këtë ‘shfrytëzim’, atëherë s’do kishte kuptim as krenaria që ndjejmë për çdo akt heroik në historinë tonë”, shkroi Manxhuka.

FSK-ja më pas njoftoi se kishte gjetur trupin e pajetë të të zhdukurit. Megjithëse ish-zyrtarë ushtarakë konfirmuan se kjo nuk ishte hera e parë që FSK angazhohej në veri,

Ndërkohë, KFOR-i konfirmoi se ishte komandanti Enrico Barduani ai që autorizoi dërgimin e FSK-së.

“Autorizimi u dha në përputhje të plotë me kompetencat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për t’i maksimizuar përpjekjet në vazhdim për ta gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqe disa ditë më parë. Autorizimi është kushtëzuar me kërkesa specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë sigurinë gjatë gjithë operacionit.”

KFOR theksoi se përfshirja e FSK-së në raste të fatkeqësive natyrore është në përputhje me mandatin e saj. Një qëndrim të ngjashëm e kishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në mars në Kosovë.

“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Kështu është saktësisht mandati i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore. Ky është mandati, në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, tha ai.

Megjithatë, ambasadat perëndimore reaguan ashpër ndaj tentimeve për politizim.

Ambasada e Gjermanisë deklaroi se humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike.

“Deklaratat e aktorëve politikë që e paraqesin këtë mision si “operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës” keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes. Po aq shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar një narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.

Ndërkaq ambasadori francez, Olivier Guerot u shpreh se KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë.

“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht, sidomos në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës.

Ndërsa, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, si dhe ka shprehur ngushëllime për fatkeqësinë.

“Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së. Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së djalit që fatkeqësisht humbi jetën. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është thelbësor për suksesin e këtij misioni”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë.

Kujtojmë se, sipas marrëveshjes së vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s, dërgimi i FSK-së në veri kërkon autorizim paraprak nga KFOR-i – praktikë që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot./Lajmi.net/