Quni thotë se me VV-në nuk preferojnë të kenë qeveri: Asnjë risi, nesër skenare të njëjta në seancë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar se pret që edhe nesër të ketë konstituim të Kuvendit të Kosovës, që i bie të jetë seanca e 23-të që mbledh legjislaturën e nëntë për të vazhduar me hapat tutje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai ka theksuar se do të ketë ripërsëritje të çështjeve të seancave…

Lajme

28/05/2025 19:18

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar se pret që edhe nesër të ketë konstituim të Kuvendit të Kosovës, që i bie të jetë seanca e 23-të që mbledh legjislaturën e nëntë për të vazhduar me hapat tutje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai ka theksuar se do të ketë ripërsëritje të çështjeve të seancave të kaluara, duke mos u votuar propozimi për kryetar të Kuvendit si dhe për mos u bërë konstituimi.

“Nuk presim gjë, për derisa nuk ka asgjë të re, asnjë risi, në marrëdhëniet ndërpartiake bisedimet e tjera marrëveshjet paraprake. Unë besoj se edhe nesër do të jetë një ripërsëritje se skenareve të seancave të kaluara”, ka thënë Quni.

Quni ka shtuar se e kanë deklaruar edhe më herët se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk preferon të ketë një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas tij, edhe përkundër kësaj LDK-ja ka dhënë mundësinë e formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse duke pasë brenda edhe VV-në me subjektet e tjera.

“Ne nuk jemi e vetmja adresë janë edhe disa parti të tjera edhe ka shumë mundësi. Por tani kur i kemi të gjitha këto qëndrimet që çdo parti politike e ka marrë një pozicion, përkundrazi e kemi deklaruar më herët se me LVV-në nuk preferojmë koalicion të përbashkët dhe qeverisje të përbashkët”, ka thënë Quni në Klan.