Quni për angazhimin e FSK-së në Ujman: Çështje e ndjeshme, por dislokimi është në përputhje me marrëveshjen me KFOR-in

Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kërkimin e trupit të një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, ka rikthyer në vëmendje ndjeshmërinë e operacioneve të saj në veri të vendit – një zonë që kërkon autorizim paraprak nga KFOR-i për çdo ndërhyrje. Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, në një prononcim…

Lajme

29/07/2025 12:47

Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kërkimin e trupit të një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, ka rikthyer në vëmendje ndjeshmërinë e operacioneve të saj në veri të vendit – një zonë që kërkon autorizim paraprak nga KFOR-i për çdo ndërhyrje.

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, në një prononcim për Lajmi.net, ka komentuar këtë angazhim të FSK-së dhe e ka cilësuar si të ligjshëm dhe të koordinuar, kjo sipas marrëveshjes ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

“Angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës është një çështje komplekse dhe delikate, e rregulluar nga një marrëveshje e vitit 2013 midis NATO-s nëpërmjet KFOR-it dhe Kosovës”, tha fillimisht Quni.

Quni thekson se kjo marrëveshje parashikon qartë që dislokimi i FSK-së në veri mund të bëhet vetëm me lejen paraprake të KFOR-it, pikërisht për të shmangur tensionet dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, çdo dislokim i FSK-së në veri të Kosovës kërkon autorizim paraprak nga komandanti i KFOR-it. Kjo marrëveshje është bërë me qëllim të garantimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, duke shmangur tensionet e mundshme. Edhe pse FSK-ja ka një mandat të gjerë, përfshirë mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ky angazhim specifik në veri mbetet nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e KFOR-it”, vazhdoi ai.

Ai gjithashtu ka shprehur besimin se njësitë e FSK-së do të përmbushin me profesionalizëm detyrën e tyre humane.

“Jam i bindur se njësitet e specializuara të FSK-së do të përmbushin detyrën duke e gjetur trupin e viktimës. Poashtu, nga institucionet përgjegjëse presim që t’i ndërmarrin të gjitha masat e sigurisë për të parandaluar rastet tragjike të kësaj natyre”, tha Quni.

Angazhimi i FSK-së në këtë operacion të kërkim-shpëtimit vjen pas autorizimit zyrtar nga Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, për arsye humanitare, me qëllim lokalizimin e viktimës që dyshohet se është mbytur të dielën pasdite. Operacioni vazhdon nën mbikëqyrjen dhe sigurinë e plotë të trupave të NATO-s në terren.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë jehonë shkuarjes së FSK-së në veri të vendit për një angazhim të saj për të gjetur një trup të pajetë të një 33-vjeçari, i cili dyshohet se është mbytur të dielën pasdite në Liqenin e Ujmanit, në Zubin Potok.

Sipas partisë të parë në vend FSK, ka shkuar për herë të parë në veri të vendit, nën shoqërimin e KFOR-it për të ndihmuar në gjetjen e trupit të pajetë.

“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit. Njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka thënë Maqedonci.

Që nga e diela, personi i cili është raportuar se është hedhur nga ura, po kërkohet nga ekipet e Policisë së Kosovës, ato të kërkim-shpëtimit si dhe njësitet zhytëse.

Deri më tani nuk ka rezultuar në gjetje të asnjë gjurme të tij./Lajmi.net/