Quni distancohet nga manipulimi i votave: Rritja e votave në emrin tim është akt kriminal
Deputeti dhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, ka reaguar lidhur me raportimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, duke u distancuar nga çdo rritje e votave në emrin e tij. Në një deklaratë publike, Quni ka theksuar se çdo shtim i votave në emrin e…
Lajme
Deputeti dhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, ka reaguar lidhur me raportimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, duke u distancuar nga çdo rritje e votave në emrin e tij.
Në një deklaratë publike, Quni ka theksuar se çdo shtim i votave në emrin e tij është bërë pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, duke theksuar se nuk ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.
“Çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore,” ka deklaruar Quni.
Ai ka vlerësuar se përfshirja e emrit të tij në këto parregullsi i ka shkaktuar dëm të madh personal dhe profesional, duke e cilësuar rastin si një operacion kriminal.
“Përmes këtij operacioni kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera ime politike. Përfshirja e emrit tim në skema manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite,” ka theksuar ai.
Quni ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të zbardhin tërësisht rastin, duke ngritur disa pyetje kyçe mbi motivin e manipulimit, përzgjedhjen e emrit të tij dhe personat përgjegjës në Qendrën e Numërimit.
Ai u ka kërkuar ndjesë publike kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favor të tij, duke theksuar se garimi duhet të jetë i drejtë dhe se çdo votë duhet t’i takojë kandidatit që e ka fituar me meritë.
Në fund, Quni ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” ka përfunduar Quni.