QUINT-i dhe SHBA-të i bëjnë thirrje Qeverisë për ta zbatuar vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUNT-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë shprehur shqetësimin për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Lajme

30/11/2021 15:22

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve, kanë deklaruar se moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e Qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbesin të shqetësuar që përkundër nxitjes së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vetë gjyqësori i Kosovës, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre, transmeton lajmi.net.

Ndër të tjera, në këtë deklaratë theksohet se zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore për konsolidimin demokratik të vendit.

“Moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik. Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet në deklaratë. /Lajmi.net/