QIKA për aderimin e Gazmend Halilajt në GUXO: Në dosjen e Prokurorisë thuhet qartë se ka screenshot-e dhe incizime audio se ai e ka shfrytëzuar viktimën

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka dal me një reagim sa i përket aderimit të avokatit Gazmend Haliliaj në subjektin politikë GUXO. QIKA në reagimin e tyre kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë se si një person i akuzuar për dhunim të një të miture bëhet pjesë e një subjekti politikë, shkruan…

Lajme

20/05/2025 15:03

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka dal me një reagim sa i përket aderimit të avokatit Gazmend Haliliaj në subjektin politikë GUXO.

QIKA në reagimin e tyre kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë se si një person i akuzuar për dhunim të një të miture bëhet pjesë e një subjekti politikë, shkruan lajmi.net

“Amnistimi moral i tij përmes një fjalori glorifikues, piedestalizues dhe idealizues, synon ta ripërkufizojë figurën e tij dhe tenton me vetëdije të rishkruajë narrativën publike për të.”, thuhet në postimin e tyre ndër të tjera.

Tutje, në reagimin e QIKA-s, thuhet se në dosjen e prokurorisë ekzistojnë prova se Halilaj  e ka shfrytëzuar të miturën.

Postimi i plotë:

QIKA shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me njoftimin e ministrave në detyrë Donika Gërvalla dhe Faton Peci, njëkohësisht kryetarë të Partisë Guxo, për aderimin në parti të avokatit Gazmend Halilaj i akuzuar për keqpërdorim seksual të një vajze të mitur nga Drenasi.
Amnistimi moral i tij përmes një fjalori glorifikues, piedestalizues dhe idealizues, synon ta ripërkufizojë figurën e tij dhe tenton me vetëdije të rishkruajë narrativën publike për të.
Kujtojmë se, sipas raportimeve mediatike, Gazmend Halilaj ishte dënuar në shkallë të parë me 2 vite burg për keqpërdorim seksual të një të miture, vendim që u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe më pas u dënua sërish me 4 vite burgim.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet qartazi: “Ekzistojnë prova si ‘screenshot-e’ dhe incizime audio të cilat vërtetojnë dyshimet se Halilaj e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe ka shfrytëzuar viktimën.” Më tej thuhet: “I pandehuri Gazmend Halilaj, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka keqpërdorur dhe tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që, duke përfituar nga ai rast, është afruar aq shumë me të dëmtuarën, sa që më pas ka filluar ta keqpërdorë seksualisht dhe ta manipulojë, duke e shtyrë që ajo t’i denoncojë persona të tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kishin bërë.”
Sipas një njoftimi në rrjetin e tij social, Halilaj pretendon se Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat, për çka ende nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar. QIKA ka kërkuar aktgjykimin e anonimizuar nga Gjykata e Apelit, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkojmë nga partitë politike që të mbajnë përgjegjësi për vendimet dhe mesazhet që përçojnë, duke mos i dhënë hapësirë publike personave të përfshirë në akuza për dhunë, aq më tepër kur bëhet fjalë për raste të ndjeshme si ai i dhunës seksuale ndaj të miturave.