Qeverisja e kaluar s’ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, aktuales po i bëhet vonë

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar mbrëmë se Kosova ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në UNESCO.

Lajme

21/09/2017 14:42

Ai ka theksuar se me takimet që ka zhvilluar në SHBA ka siguruar vota të reja për anëtarësim në UNESCO. Sipas tij parakusht janë dy ligje që kanë të bëjnë me barazinë fetare dhe që duhet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës.

Në qeverisjen e kaluar Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO ndërsa tani pothuajse është vonë.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj i ka thënë lajmi.net se qeveria e tanishme vendos për hapat e mëtejmë drejt anëtarësimit.

“Derisa në mandatin e qeverisë së kaluar Kosova nuk ka aplikuar, mbetet që kjo qeveri të vendos për hapat e mëtejmë drejt anëtarësimit të UNESCO-s”, ka thënë Murtezaj për lajmi.net.

Ai ka shtuar se mënyra dhe modalitetet e aplikimit janë të ndryshme mirëpo tani është koha e duhur për një gjë të tillë.

Duke mos dashur t’i komentoj deklaratat e Pacollit, Murtezaj ka thënë se ai tani e bënë politikën e jashtme të Kosovës dhe beson se e din çka flet.

Sa i përket anëtarësimit në Interpol, Pacolli mbrëmë tha se Kosova mund të tërhiqet nga kandidimi për anëtarësim në këtë organizatë pasi është larg sigurimit të votave të mjaftueshme./Lajmi.net/