Qeveria “zbret në terren” me masa të rrepta: Nisin inspektime intensive në gjithë Kosovën, paralajmërohen mbyllje biznesesh dhe gjoba për shkelësit

Një valë e re masash të rrepta pritet të zbatohet në vendet e punës në Kosovë, pas vendimit të fundit të Qeverisë për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë, veçanërisht në sektorët me rrezikshmëri të lartë. Sipas këtij vendimi, Ministria e Punës ka urdhëruar që Inspektorati Qendror i Punës të nisë menjëherë një aksion…

Lajme

13/04/2026 22:50

Një valë e re masash të rrepta pritet të zbatohet në vendet e punës në Kosovë, pas vendimit të fundit të Qeverisë për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë, veçanërisht në sektorët me rrezikshmëri të lartë.

Sipas këtij vendimi, Ministria e Punës ka urdhëruar që Inspektorati Qendror i Punës të nisë menjëherë një aksion të jashtëzakonshëm inspektimesh në të gjithë territorin e vendit.

Ky aksion do të zgjasë 15 ditë dhe do të karakterizohet nga kontrolle intensive, të cilat nuk do të kufizohen vetëm brenda orarit të rregullt të punës, por do të zhvillohen edhe gjatë fundjavave dhe jashtë orarit zyrtar, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe mbikëqyrjes në terren.

Autoritetet kanë bërë të ditur se subjektet që nuk respektojnë masat bazike të sigurisë në punë do të përballen me masa të menjëhershme ndëshkuese. Këto masa përfshijnë ndalimin e aktivitetit, gjoba financiare dhe sanksione të tjera ligjore, të cilat do të mbeten në fuqi deri në përmbushjen e kushteve të kërkuara.

Në kuadër të këtij aksioni, është paraparë edhe një organizim i ri i punës brenda Inspektoratit, duke përfshirë ndërrime të zgjatura, rotacion të detyrueshëm të inspektorëve si dhe krijimin e një task-force të përkohshme në bashkëpunim me institucionet relevante.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga ministri i Punës, Andin Hoti, dhe konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së punëtorëve në vend. /Lajmi.net/