Qeveria nuk e komenton letrën e Mogherinit, vendimi për taksën mbetet i njëjti

Gjatë ditës së sotme u raportua në media se Bashkimi Evropian ia ka dërguar një letër kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Lajme

16/12/2018 17:42

Në këtë letër u tha se përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka kërkuar suspendimin e tarifës ndaj Serbisë duke ofruar zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosova.

Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi i ka thënë lajmi.net se qeveria e Kosovës pothuajse në baza ditore komunikon me Brukselin në forma të ndryshme.

“Qeveria e Kosovës pothuajse në baza ditore komunikon me Brukselin në forma të ndryshme, me letra, në formë telefonike apo edhe në takime të drejtpërdrejta. Në të gjitha takimet ka letra të rëndësishme ka dokumente të rëndësishme”, ka thënë Arifi.

Sa i përket pyetjes për letrën e Mogherinit, Arifi ka thënë se nuk mund ta komentojnë përmbajtjen e saj

“Nuk mund ta komentojmë përmbajtjen e saj e as përmbajtjen që kryeministri Haradinaj ia ka kthy sepse nuk besoj se i ka mrri zonjës Mogherini, por çka mund të konstatojë është se qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk kanë bërë asnjë ndryshim në politikën e saj, as ndaj taksës as ndaj qëndrimeve tjera që lidhen me statusin apo me gjitha temat aktuale për të cilat flasim”, ka deklaruar Arifi për lajmi.net.

Ndërsa, këshilltari tjetër i kryeministrit, Halil Matoshi ka thënë se as sot nuk është gjetur kompromis me Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/