Qeveria nuk do të rrëzohet

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se Qeveria e Kosovës do ta përfundojnë mandatin e saj të rregullt dhe se nuk do të ketë rrëzim të saj, as nga pozita e as nga opozita. Sipas tij, zgjedhjet e reja parlamentare do të mund të mbahen në shtator.

Lajme

03/02/2014 08:10

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, thotë se Qeveria e Kosovës do të përfundojë mandatin e saj.

Në një intervistë për “Zëri”, Pacolli tha se beson se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në muajin shtator. Sipas tij,  zërat për zgjedhje në muajin qershor janë thjesht spekulime.

“Unë besoj se mandati i kësaj qeverie nuk do të përfundojë para kohe. Kjo qeveri do të kryejë mandatin e saj të rregullt”.

“Zgjedhjet do të kemi në muajin shtator, sepse është muaj i favorshëm, sepse qytetarët kthehen nga pushimet dhe zgjedhjet do të ketë sigurisht në muajin shtator”.

”Ju e dini se unë personalisht kam sakrifikuar shumë nga subjekti im politik që kjo të ndodhë. Vetëm e vetëm që Kosova të ketë institucione stabile”.

“Këto janë spekulime. Nuk ka kurrfarë vendimi që të shkohet në zgjedhje në qershor”.

Zëvendëskryeministri i parë, Behxhet Pacolli, mendon se nuk duhet të ketë mocion votëbesimi, në qeverisjen që edhe vet bën pjesë.

Gjithsesi, edhe pse në fund të mandatit, Pacolli paralajmëron një riformatim të Qeverisë, që sipas tij kjo gjë do t’i sjellë më shumë kualitet qeverisjes.

“Unë nuk besoj që do të ketë, për arsye se njerëzit janë të vetëdijshëm se çdo tentativë për të rrëzuar këtë qeveri e dëmton vendin sepse jemi në implementimin e proceseve shumë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të shfrytëzojmë çdo ditë në favor të implementimit të synimeve”.

“Ne si AKR do të kemi një riformatim, krejt kjo në favor të kualitetit në fushën e ekonomike, do të bisedojmë me kryeministrin dhe do ta realizojmë”.

“Formatizimi t’i sjellë kualitet qeverisjes sonë. Do të sjellë një qeverisje edhe më të mirë dhe sigurisht që ministrat të cilët kanë treguar sukses ndoshta nuk do të ketë nevojë që të ndërrohen, mirëpo ne kemi disa kërkesa për disa pjesëtarë të qeverisë që mund të japin edhe më shumë”.