Qeveria ndan rreth 15 milionë euro për subvencionimin e energjisë për konsumatorët e cenueshëm

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitet 2026–2027, përmes të cilit planifikohet ndarja e rreth 15 milionë eurove për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Programi synon të mbështesë ekonomitë familjare që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale, duke u mundësuar atyre…

Lajme

07/10/2026 12:45

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitet 2026–2027, përmes të cilit planifikohet ndarja e rreth 15 milionë eurove për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Programi synon të mbështesë ekonomitë familjare që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale, duke u mundësuar atyre qasje më të përballueshme në energjinë elektrike si një shërbim esencial.

Mbështetja do të realizohet përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për konsumatorët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Në ditët në vijim pritet të nënshkruhet edhe vendimi për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përfitim nga ky program. Pas kësaj, pritet të hapet thirrja për aplikim për qytetarët që plotësojnë kriteret.

Sipas Qeverisë, programi është pjesë e përpjekjeve për krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë.

Kosova ka marrë obligime të tilla edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër parashihet edhe krijimi dhe mirëmbajtja e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm.

Programi 2026–2027 synon kështu që përmes mbështetjes financiare direkte të lehtësojë barrën e faturave të energjisë për familjet që konsiderohen më të cenueshme ekonomikisht.