Qeveria Kurti dështoi ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër – Durmishi krekoset me punën tek dy urat e reja: “Intensitet i paparë ndonjëherë”

Edhe pse për më shumë se tre vite premtuan hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Qeveria Kurti nuk ka arritur ta bëjë këtë realitet. Në vend të kësaj, tash po ndërtohen dy ura të reja në afërsi, tenderët e të cilave tashmë janë nën hetim nga Prokuroria Speciale, për dyshime lidhur me…

Lajme

12/07/2025 20:30

Edhe pse për më shumë se tre vite premtuan hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Qeveria Kurti nuk ka arritur ta bëjë këtë realitet.

Në vend të kësaj, tash po ndërtohen dy ura të reja në afërsi, tenderët e të cilave tashmë janë nën hetim nga Prokuroria Speciale, për dyshime lidhur me keqpërdorimin e parave publike dhe shkelje të procedurave ligjore gjatë tenderimit.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka publikuar një përditësim përmes një postimi në rrjete sociale, duke theksuar shpejtësinë e punimeve në këto dy ura.

“Paradite themeli i bregorës, e pasdite themeli i mesit të urës. Intensitet i paparë ndonjëherë në ndërtimin e urave në Kosovë. Në shtator do të kalojmë me vetura, e këmbë në trotuare”, ka shkruar ai, transmeton lajmi.net

Por teksa zyrtarët qeveritarë po lavdërohen për “intensitetin”, projekti me vlerë afro 3 milionë euro është bërë objekt hetimi nga Prokuroria Speciale. Kjo e fundit ka nisur procedura për të verifikuar ligjshmërinë e tenderit dhe përputhshmërinë me rregullat e prokurimit publik.

Mbetet e paqartë pse Qeveria nuk e realizoi prioritetin që kishte vënë vetë – hapjen e urës kryesore që lidh Mitrovicën jugore me atë veriore – dhe në vend të saj, po investon në ura të reja, që tani janë nën dyshim për keqpërdorime financiare./lajmi.net/