Qeveria ia merr Trepçën AKP’së
Qeveria e Kosovës ia merr Trepçën Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe e vendos atë nën kompetencë të veten. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ligji i ri mundëson investimet dhe hap vende të reja të punës në këtë sektor.
Lajme
Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe e ka dërguar në Kuvend ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike me të cilën kërkon që ndërmarrjet e mëdha siç është “Trepça” të kalojnë në kompetencë të Qeverisë e jo të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, siç ka qenë deri më tani.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se miratimi i këtij ligji i hap rrugë investimeve në këto kompani dhe ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës.
“Me këtë ligj hiqen ndërmarrje të caktuara nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe regjistrimin e tyre si ndërmarrje të Kosovës”.
“Miratimi i këtij ligji është në përputhje të plotë me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku përmes krijimit të mundësive për zhvillimin e resurseve minerare garantohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“Përmes këtij ligji mundësohet krijimi i kushteve për investime në sektorin minerar dhe forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore”.
“Synimet e Qeverisë së Kosovës janë që ta zhvillojë më tutje nj nga arteriet kryesore të zhvillimit të vendit e cila ka kontribuar shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe më gjerë”, ka thënë Kryeministri Thaçi.
Sponsoruesi i këtij ndryshimi, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se MZHE është konsultuar me të gjithë faktorët relevantë për këtë ndryshim dhe se zbatimi i ligjit të ndryshuar dhe plotësuar “nuk do të prodhojë kosto shtesë për buxhetin e Kosovës”.