Qeveria hap rrugë për formimin e Speciales
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka hapur rrugën për dërgimin ndryshimeve të amendamenteve kushtetuese në Kuvend.
Lajme
Gjatë mbledhjes, Mustafa ka thënë se kanë aprovuar ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës për të dërguar në Kuvend votimin e Gjykatës Speciale.
“Ne kemi aprovuar si qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës. Ligji për dhomat e veçanta është si rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes me baroneshën Ashton gjatë vitit të kaluar. As ndryshimet kushtetuese as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së UÇK-së”, ka thënë Mustafa raporton Indeksonline.
Ndërsa zëvendës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se pas heqjes së termit gjenocid qeveria pranon draft ligjin.
“Pas tërheqjes së termit gjenocid, ne si qeveri e pranojmë këtë informatë. Duke marrë parasysh kultivimin e raporteve tona me BE-në dhe SHBA-të, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, dhe gatishmëria e themelimit të kësaj gjykate, mendoj se ky projektligj e lehtëson punën për votim nga ana e deputetëve”, ka thënë Thaçi.
Kabineti një zëri ka votuar projekt ligjin që i dërgohet Kuvendit për ta votuar.