Qeveria dërgon njoftim veç për takimin e Kurtit me Scholzin, “tenton ta fshehë” atë me Vuçiqin

Qeveria e Kosovës ka dërguar komunikatë për takimet që kryeministri i vendit, Albin Kurti do të zhvillojë sot në Berlin të Gjermanisë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Lajme

04/05/2022 10:08

Mirëpo, në komunikatën e Qeverisë, nuk është përmendur fare fakti që Kurti do të takohet me Vuçiqin, por është njoftuar vetëm për takimin me Scholzin, shkruan lajmi.net.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Berlin, Gjermani, ku do të ketë takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Shcolz”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Se Kurti do të takohet me Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe me inicim të kancelarit Scholz, e ka konfirmuar dje edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai dje ka konfirmuar se takimi do të mbahet në mbrëmje.

“Në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE, kancelari Scholz ka ftuar Miroslav Lajçakun i cili do të pres një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në mbrëmje në Berlin”, ka shkruar Rohde. /Lajmi.net/