Qeveria dërgon në Kuvend amendamentet për formimin e Gjykatës Speciale

Ekzekutivi i vendit ka vendosur që t’i dërgojë në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dy amendamentet kushtetuese, që kanë të bëjnë me formimin Gjykatës Speciale. Kryeministri Mustafa, ka thënë se ky është një vendim i vështirë, por ka bërë thirrje nga deputetët që të votohet.

Lajme

07/03/2015 11:49

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të shtunën ka marrë vendim që t’i dërgojë në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dy amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën. Vendimi është marrë me shumicë votash.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qeveria që drejton nuk e ka të lehtë të marrë vendime të tilla, megjithëse ka bërë të ditur se edhe deputetët duhet të jenë ata që duhet votuar për të kryer këtë obligim ndërkombëtar.

Ai ka thënë se UÇK ka bërë luftë çlirimtare dhe nuk do hetohet lufta e saj, por disa individë.

“UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë dhe krijimi i Gjykatës Speciale nuk do të jetë hetim mbi UÇK por mbi disa individë”, ka thënë Mustafa.

Opozita ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, duke u deklaruar se do të votojë kundër saj.

Shumica në Kuvend nuk i ka të sigurta votat për votimin e kësaj Gjykate, meqë edhe disa deputetë nga radhët e partive në pushtet janë shprehur se do të votojnë kundër themelimit të saj, ndërsa edhe Lista Serbe, që përfaqësohet me nëntë deputetë po bojkoton Kuvendin pas largimit nga kabineti qeveritar të liderit të kësaj partie Aleksandër Jabllanoviq.

Presidentja ka nisur dje konsultat me partitë opozitare, ndërsa presioni ndërkombëtar është se nëse Kosova nuk e themelon vet Gjykatën Speciale, atë do ta bëjë Organizata e Kombeve të Bashkuara.