Qentë e luftës: Ja sa paguhen serbët për të vrarë nëpër botë

"Qentë e Luftës”, nga Serbia, kryesisht po luftojnë në anën e forcave pro-ruse në Ukrainë, ku po paguhen nga 2 mijë dollarë amerikanë në javë, por ka edhe nga ata që për disa para më shumë janë duke luftuar në anën e ushtrisë ukrainase. Ata kanë kontrata të cilat saktësojnë se në rast të vdekjes paratë i marrin familjet, ndërsa varrosen si persona të paidentifikuar. 

Lajme

16/08/2014 12:29

Ditëve të fundit në Serbi po tregohen gjithnjë e më shumë histori për “Qenët e Luftës”, vullnetarë serbë të cilët ndihmojnë forcat pro-ruse në luftën kundër Ukrainës në Donjesk. Mediat serbe raportojnë se ata janë vullnetarë nga Lëvizja çetnike “Jovan Seviq”, transmeton lajmi.net. 

Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq ka bërë të ditur se vullnetarë serbë ka në Siri dhe Irak, ndërsa sipas disa vlerësimeve, ata që luftojnë në Ukrainë paguhen rreth 10 mijë dollarë në muaj. 

Në anën e forcave pro-ruse në Ukrainë janë duke luftuar të paktën njëqind serbë. Sipas të dhënave të fundit, në beteja janë të përfshirë 45 anëtarë të lëvizjes çetnike, dhe rreth 20 deri në 30 vullnetarë serbë me origjinë serbe të cilët kishin jetuar më parë në Ukrainë. 

Ata që luftojnë në anën e rebelëve pro-rus paguhen rreth 2 mijë dollarë në javë, ndërsa ditëve të fundit raportohet edhe për dhjetëra qytetarë serbë që i janë bashkuar ushtrisë ukrainase për “pagë më të lartë”, e që është rreth 3 mijë dollarë amerikanë në javë. 

Luftëtarët pro-rus javën e kaluar pranë Donjeskut kanë arrestuar dy mercenarë serbë që luftuan muajt e fundit pro forcave të Kievit. Ata pastaj u zhvendosën në Moskë ku aktualisht janë duke u hetuar nga inteligjenca ruse, ka mësuar Informer, duke shtuar se shërbimi sekret rus në këtë rast e ka njoftuar shërbimin sekret serb BIA, nga i cili ka kërkuar edhe shpjegim. 

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një rast për këtë çështje kishte deklaruar se Serbia nuk është e përfshirë në konfliktet në territorin e Ukrainës dhe përfshirja e qytetarëve serbë për para në këto konflikte po dëmton vendin. 

Mësohet se vullnetarët serbë në territorin e Ukrainës hyjnë përmes Polonisë. 

Qeveria e Serbisë është duke e përgatitur një projekt-amendament për Kodin Penal, në të cilin pjesëmarrja e vullnetarëve në konfliktet e armatosura ndërkombëtare do të trajtohet si një krim të rëndë. (lajmi.net)