Qëndrueshmëria e shtetit

Vetëm kur të sëmuremi, ia dimë vlerën shëndetin. Njëlloj është te shteti. Vetëm kur ndodhë një përkeqësim i gjendjes së tij, kuptojmë që paskemi qenë mirë më parë, kur nuk jemi përballur me këto sprova të rrezikshme.

Opinion

23/01/2020 11:16

Shkruan: Blerim Shala

Ky është gjithsesi një testim i padëshiruar, i pakërkuar dhe poashtu, i panevojshëm i qëndrueshmërisë së sistemit politik në Kosovë.

Madje, ky testim po ndodhë katër herë rresht, që prej zgjedhjeve të para të jashtëzakonshme parlamentare, të dimrit të viteve 2010, 2011, duke mbërritë kështu në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në tetorin e vitit të kaluar.

Poqëse do të mbledhej koha që është dashtë, prej ditës së mbajtjes së zgjedhjeve deri tek krijimi i Qeverisë së re  (edhe pse në këtë rastin më të ri, ende nuk është krijuar Qeveria e Kosovës), atëherë, në këto nëntë vitet e kaluara, së bashku, pas katër palë zgjedhjeve, janë humbur 15 muaj të plotë në funksionimie e institucioneve qendrore.

Asnjë shtet, asnjë vend dhe demokraci, nuk ka kohë për të humbur. Në rastin e Kosovës, kjo e vërtetë ka vlefshmërinë edhe më të madhe.

Megjithatë, dhe ky është ai lajmi i vetëm i mirë që ka dalë në shesh në vijim të këtyre përpjekjeve për t’i krijuar institucionet qendrore pas zgjedhjeve parlamentare, në përballje me këtë sfidë të lodhshme dhe shterruese për akëcilën politikë, skena politika kosovare nuk është ndarë keq, së paku në këtë segmentin kryesor që njeh ruajtjen e stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë politike. Nuk ka pasë trazira, protesta, probleme të mëdha politike, përplasje të cilat pastaj do ta impononin një rrjedhë të rrezikshme politike.

Së paku në këtë aspekt, të gjithë liderët dhe partitë politike janë treguar rë kujdesshëm, të matur dhe pragmatik.

Dikush mund të shtojë që megjithatë, këta politikanë dhe këto parti që janë në Kosovë, e dinë që nuk bën ta teprojnë në sjelljet e tyre që mund ta rrëzojnë për toke skenën politike kosovare dhe vetë shtetin. Megjithatë, diçka e tillë ka ndodhë disa herë në këtë demokracinë e re kosovare, por jo, për fatin tonë të mirë, në këto periudhat e vakumit institucional.

Sistemi politik, institucionet tjera, veçmas ato të sigurisë dhe të financave, nuk kanë reflektuar, për të keq, mungesën e një Qeverie të mirëfilltë qendrore të Kosovës.

Kjo po ndodhë edhe në rrethanat e fundit, kur në fakt, ne tash e shtatë muaj, nuk kemi Qeveri të mirëfilltë, kur dihet që Kryeministri Haradinaj ka dhënë dorëheqje qysh në muajin korrik të vitit të kaluar.

Shtyllat kryesore të një shteti, nuk po lëkunden, apo, po qëndrojnë mirë, sepse në të kundërtën, mund të paramendohet se kryelajmet kosovare nuk do të kishin të bënin fare me kush me kë po bisedon për krijimin e Qeverisë, dhe kush dhe si do ta bëjë Qeverinë e Kosovës.

Qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës, në këto shtyllat kryesore, nuk është lajm, njëlloj sikurse shëndeti i një njeriu nuk është thuaja kurrë një gjendje që vlerësohet sa dhe si duhet.

Vetëm kur të sëmuremi, ia dimë vlerën shëndetin. Njëlloj është te shteti. Vetëm kur ndodhë një përkeqësim i gjendjes së tij, në ato segmentet kryesore, kuptojmë që paskemi qenë mirë më parë, kur nuk jemi përballur me këto sprova të rrezikshme.

Ta zëmë, Kosova, falë një sistemi të sigurisë që ka krijuar për vite të tëra, në AKI, Policinë e Kosovës e edhe në FSK, me sukses i është shmangur  (deri më tash së paku), kërcënimeve të sulmeve terroriste, me burim ekstremizmin e dhunshëm, edhe pse dihet që ka qenë e rrezikuar seriozisht në këtë aspekt.

Është kjo një arritje e madhe.

Në anën tjetër, sistemi bankar dhe financiar në Kosovë, është me gjasë më stabili në këtë pjesë të Evropës, gjë që është meritë e BQK-së por edhe të institucioneve të tjera qendrore.

BQK u detyrua të reagojë kohë më parë për ta ruajtur këtë stabilitet bankar dhe financiar, për t’iu shmangur devijimeve që bartnin në vete kërcënimin për lëkundjen e këtij stabiliteti.

Edhe kjo është një arritje e madhe.

Stabiliteti bankar dhe financiar në njërën anë, dhe ruajtja e sigurisë së përgjithshme në vend, janë kushtet pa të cilat nuk bën nëse duam të ecim para si shoqëri dhe si shtet.

Kushdo që në të ardhmen e afërt do ta ketë mundësinë ta formojë Qeverinë e re, të pestën që nga pavarësimi i vendit, do të duhet në radhë të parë t’i ruajë dhe të mirëmbajë këto vlera të krijuara me mund të madh të shtetit të Kosovës.

(Autori është kolimnist i portalit lajmi.net)