“Qëndroi një natë në zyrat e EULEX-it, takoi familjarët për ngushëllime, u nis për në Hagë”/ 24-orëshi i Thaçit në Kosovë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte për vizitë tek varri i babit të ndjerë, Haxhi Thaçi, i cili nuk u lejua të merrte pjesë në varrimin e tij dy ditë më parë nga Gjykata Speciale. Thaçi dje rreth orës 12:00 bëri homazhe te varri i babait, vendosi kurora lulesh, u takua me familjarët e ngushtë…

Lajme

22/03/2025 14:20

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte për vizitë tek varri i babit të ndjerë, Haxhi Thaçi, i cili nuk u lejua të merrte pjesë në varrimin e tij dy ditë më parë nga Gjykata Speciale.

Thaçi dje rreth orës 12:00 bëri homazhe te varri i babait, vendosi kurora lulesh, u takua me familjarët e ngushtë në shtëpinë në Burojë, dhe u largua.

“Te varri yt erdha i fundit babë. Para meje erdhëm mijëra qytetarë. Së shpejti do t’i falënderoj dorë më dorë”, shkruhet në kurorën që Presidenti Thaçi e vendosi mbi varrin e babait, i cili vdiq para pesë ditësh.

Thaçi dje takoi familjarët e ngushtë në Burojë të Skenderajt, ku u përshëndet edhe me shumë qytetarë që dolën ta prisnin atë.

Me emocione të mëdha, Thaçi bashkë me sigurinë e lartë të Speciales morën rrugën nga Buroja për në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku atje qëndroi për një natë.

Me vendim të Speciales, Thaçi kishte të drejtë të takonte familjarët e tij në zyrat e EULEX-it përfshirë vëllezërit dhe gruan.

Ai mëngjesin e sotëm u takua fillimisht me tre vëllezërit e tij dhe pastaj edhe me gruan dhe pas kësaj u nisë drejtë aeroportit për të shkuar në Hagë.

Por, shumë qytetarë përfshirë të rinj të PDK-së u mblodhën para zyrave të EULEX-it për një protestë paqësore, duke mbajtur në duar mbishkrimet: “Liri për çlirimtarët”, “Drejtësi, jo politikë”.

Thaçi bashkë me forcat e sigurisë me veturat me xhama të zi e la Kosovën nën thirrjet e qytetarëve “UÇK”.

Gjykata e Hagës tha një ditë me parë se vizita është aprovuar për “arsye bindëse humanitare”.

“Trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatë Speciale, Michale Doyle./Lajmi.net/