Qëndrimet e LVV-së për kryeparlamentar – çfarë tha Konjufca për Veselin e çfarë për Haxhiun?

Lëvizja Vetëvendosje nuk po mundet të zgjedhë kryetarin e Kuvendit edhe pse doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë, e propozuar për këtë post, ka dështuar dy herë të sigurojë 61 votat e nevojshme, por fajin për dështimin e saj, LVV po ia bart opozitës. Nënkryetari i LVV-së…

Lajme

21/04/2025 23:32

Lëvizja Vetëvendosje nuk po mundet të zgjedhë kryetarin e Kuvendit edhe pse doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë, e propozuar për këtë post, ka dështuar dy herë të sigurojë 61 votat e nevojshme, por fajin për dështimin e saj, LVV po ia bart opozitës.

Nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca në një intervistë për KosovaPress në vitin 2017, pati deklaruar se propozimi i PAN-it që Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit të asokohe, nuk do të merrte votat e kësaj partie asokohe në opozitë.

Konjufca madje kishte akuzuar koalicionin e atëhershëm PDK-AAK-Nisma se po e bllokojnë votimin e kryetarit të ri të Kuvendit, seanca për konstatimin e të cilit ishte thirrur nga ish-presidenti Hashim Thaçi më 3 gusht.

“Ne nuk e votojmë Kadri Veselin për kryeparlamentar të Kosovës. Kadri Veseli është figura kyçe e të ashtuquajturit, proces i kapjes së shtetit, të cilin aq shumë e ka shpjeguar dhe Ramush Haradinaj. Tash ai është bërë bashkë me Kadri Veselin në kapje të shtetit”, pati deklaruar Konjufca.

Pas gati tetë vjetësh, e njëjta parti – LVV dhe Glauk Konjufca, nënkryetar i saj, sërish po fajësojnë opozitën se po e bllokojnë zgjedhjen e të parit të Kuvendit duke kërkuar që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e ardhshme e legjislativit të nëntë.

Përfaqësuesi i VV-së Glauk Konjufca nuk ka propozuar kandidatin për kryetare të Kuvendit nga radhët e kësaj partie pasi nuk kanë votat e mjaftueshme.

Konjufca kërkoi kohë shtesë duke thënë se kjo situatë nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike.

“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike…Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë… Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, tha Konjufca.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi akuzoi sot pozitën se po vazhdon me bllokimin e institucioneve duke mos dashur të propozojnë një kandidat tjetër në vend të Albulena Haxhiut, për të cilën tha se ka dështuar të merr votat e nevojshme.

Krasniqi tha se LVV duhet ta sjellë një emër tjetër dhe se Albulena Haxhiu do të dështojë t’i merr sërish votat nëse sillet në Kuvend, teksa hodhi poshtë edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike duke paralajmëruar se do të kërkohen opsione të tjera, qofshin ato edhe zgjedhjet e reja.

“Edhe sot jemi për të bërë konstituimin e Kuvendit, normalisht që për të zgjedhur kryeparlamentarin është përgjegjësia e atij që propozon, besoj që iu kanë thënë që t’i bëjnë votat nëse munden. Nëse jo duhet menduar për opsione të tjera që parashihen me Kushtetutën”, ka thënë Krasniqi, raporton KosovaPress.

Vazhdimi i pestë i seancës për konstatimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 23 prill, në ora 10:00.